Buletini mujor

 TË REJAT KRYESORE MAJ 2018

logo

Buletini mujor > Shteti në detyrë

Postuar më: 31 Maj 2018

Shteti në detyrë

foto1

Nis trajnimi i punonjësve të rinj të burgjeve

Sistemi i ri i rekrutim – trajnimit në sistemin penitenciar ka kaluar në një fazë të re zhvillimi, atë të trajnimit të punonjësve të rinj të policisë së burgjeve. Pas testimit të zhvilluar ku morën pjesë rreth 1400 kandidatë, kaluan në fazën tjetër duke u përzgjedhur për të qenë punonjës të burgjeve 260 konkurrentë. Është hera e parë në këto 27 vite, që punonjësit e sistemit të burgjeve përzgjidhen përmes një testimi meritokratik, ku fitues dolën ata që morën rezultatet më të larta dhe jo militantët e partive siç ka ndodhur deri më sot. Gjatë një ceremonie të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë me punonjësit e rinj të burgjeve, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka theksuar se nuk do të ketë asnjë tolerancë, qoftë edhe për tentativën më të vogël për korrupsion apo abuzim me detyrën. “Jemi të vendosur të ndjekim penalisht, duke synuar dënimin maksimal, për çdo efektiv që do të tentojë të bëhet pjesë e paligjshmërisë”, ka thënë Gjonaj. Ministrja e Drejtësisë u kërkoi punonjësve të rinj të vazhdojnë të tregojnë integritet moral e profesional dhe përkushtim në zbatimin e detyrave funksionale, duke ofruar një shërbim në sistemin e burgjeve me standarde sigurie, si dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha të drejtat e njeriut për personat që vuajnë dënimin në këto institucione.