Buletini mujor

 TË REJAT KRYESORE MAJ 2018

logo

Buletini mujor > MASAT ANTIKORRUPSION

Postuar më: 31 Maj 2018

MASAT ANTIKORRUPSION

foto1

Ministrja Gjonaj raporton para partnerëve strategjikë

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Antikorrupsionit ka raportuar përpara ambasadorëve të vendeve të BE-së, lidhur me gjithçka është bërë në drejtim të masave për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit, si një nga prioritetet qeverisëse dhe po ashtu një nga kriteret bazë për ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit. Në një takim të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Gjonaj ka folur për masat e marra nga Qeveria Shqiptare, përmes implementimit efektiv të reformave të thella shtet formuese, si Reforma në Drejtësi, Reforma në Administratën Publike dhe të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit. “Shqipëria tashmë ka zhvilluar një politikë të qartë antikorrupsion mbështetur në Strategjinë Ndërsektoriale Antikorrupsion 2015-2020. Qeveria shqiptare ka forcuar transparencën dhe llogaridhënien duke riorganizuar strukturën antikorrupsion si organ mbikëqyrës për të siguruar koordinimin, monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit dhe Planit të saj të Veprimit”, është shprehur ministrja Gjonaj. Nga ana e tyre, ambasadorët e vendeve të BE-së kanë vlerësuar angazhimin e qeverisë në luftën antikorrupsion dhe masat e marra në këtë drejtim, duke shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe për të dhënë mbështetjen e tyre në përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për parandalimin e dhe goditjen e korrupsionit.