Postuar më: 27 Prill 2018

Gjonaj në Paris: Shqipëria, masa konkrete për luftën kundër terrorizmit

Ministrja e Drejtësisë, znj Etilda Gjonaj, mori pjesë në konferencën “No money for terror” që u zhvillua në Paris me iniciativë të Presidentit francez, Emmanuel Macron, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër financimit të terrorizmit. Në konferencë morën pjesë më shumë së 80 ministra nga gjithë bota.

Në fjalën e mbajtur prej saj, Ministrja Gjonaj e vuri theksin te mbështetja e vendosur që Shqipëria ka dhënë në luftën globale kundër terrorizmit, përmes pranisë së saj përkrah aleatëve tanë në zonat e krizës, si dhe te masat konkrete legjislative dhe institucionale të ndërmarra nga qeveria shqiptare për parandalimin dhe hetimin e fenomenit të ekstremizmit dhe terrorizmit.

Përfshirja e Shqipërisë në strukturat dhe rrjetet ndërkombëtare ka siguruar tashmë një nivel të lartë shkëmbimi të informacionit lidhur me terrorizmin dhe financimin e tij.

“Mbetet ende shumë për t’u bërë, për të siguruar rezultate efektive në sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe financimit të tij. Rritja e nivelit të brendshëm të bashkëpunimit mes autoriteteve kombëtare ligjzbatuese në shkëmbimin e informacionit dhe kryerjen e veprimeve – pavarësisht varësisë hierkarkike – është një faktor kyç për  maksimizimin e rezultateve”, ka theksuar ministrja Gjonaj.

Sipas saj, një rol të rëndësishëm në luftën kundër financimit ka edhe sektori privat, i cili duhet të ndërgjegjësohet dhe të mbajë përgjegjësi në rast të shkeljejes së legjislacionit për pastrimin e parave.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja e Drejtësisë theksoi rëndësinë që kanë proceset integruese në BE në forcimin e bashkëpunimit dhe rezultatet në luftën kundër krimit. “Për këtë qëllim, vlerësoi ajo, është e rëndësishme mbështetja e shteteve anëtare të BE dhe të Republikës Franceze në veçanti, në hapjen e procedurave të anëtarësimit të Shqipërisë në hapësirën e përbashkët europiane”.

Fjala e plotë e ministres Gjonaj në Konferencën e Parisit: