Postuar më: 29 Korrik 2017

Ministri i Drejtësisë kërkesë autoriteteve Kroate për të mos pranuar kërkesën për ekstradim të Serbisë ndaj shtetasit shqiptar Ismail Morina

Ministri Gazment Bardhi kërkesë Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kroacisë: Kërkesa për ekstradim e Serbisë nuk përmbush kriteret e pranimit sipas Konventës Europiane “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar “Për të drejtat civile dhe politike”

Ministri Gazment Bardhi kërkesë për bashkëpunim institucional Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të shtetasit shqiptar Ismail Morina, ka marrë kontakt urgjent zyrtar me autoritetet kompetente kroate, për të argumentuar nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, pamundësinë e ekstradimit të tij në Serbi. Për këtë qëllim, me shkresën nr. 4782, datë 28/07/2017 drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht homologut të tij kroat mos miratimin e kërkesës për ekstradim, duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Në këtë shkresë, Ministria e Drejtësisë ka marrë angazhimin që në një kohë sa më të shpejtë të përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë se jemi përpara një shkelje politike, për të cilën bazuar në nenin 3 të Konventës së Këshillit të Europës “Për ekstradimin”, nuk mund të akordohet ekstradimi.

Ministri i Drejtësisë në kërkesën drejtuar autoriteteve kroate ka argumentuar se në rast ekstradimi në Serbi, shtetasi shqiptar Ismail Morina rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politisht për shkak të shtetësisë së tij dhe gjendjes personale apo shoqërore, çka përbën shkelje të një të drejte themelore të njeriut, që duhet të pengojë miratimin e kërkesës për ekstradim.

Për këtë qëllim, ditën e sotme, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për  t’i vënë në dispozicion të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë përdorimin politik nga autoritetet serbe të ngjarjes së ndodhur në stadiumin e Beogradit në Nëntor të vitit 2015, si dhe sjelljes çnjerëzore të tifozëve dhe personelit serb të stadiumit ndaj ekipit kombëtar shqiptar, me qëllim provueshmërinë e rrezikut real që i kanoset shtetasit Ismail Morina për shkak të shtetësisë së tij shqiptare në rast ekstradimi në Serbi.

Gjithashtu po sot, z. Bardhi i ka njoftuar Ministrisë së Punëve të Jashtme shkresën që i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, duke kërkuar nga MPJ që të vlerësohet mundësia për ndjekjen e rrugëve të tjera diplomatike, apo marrjes së kontaktit me autoritete të tjera shtetërore të Republikës së Kroacisë, për të mundësuar mos miratimin nga autoritetet kompetente kroate të kërkesës së Serbisë për ekstradimin e shtetasit shqiptar Ismail Morina, si dhe pranimin nga ana e Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të kërkesës së Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për mos ekstradimin e tij.

Ministria e Drejtësisë shpreh të gjithë angazhimin e saj institucional në mbrojtjen e të drejtave të shtetasit shqiptar Ismail Morina dhe ndjekjes së të gjitha rrugëve ligjore dhe institucionale për të penguar ekstradimin e tij në Serbi, jashtë kushteve të lejuara nga konventat ndërkombëtare në këtë fushë.