Postuar më: 28 Prill 2018

Ministrja Gjonaj takon Presidentin Macron dhe ministren Belloubet

Ministrja e Drejtësisë, znj Etilda Gjonaj, gjatë konferencës “No money for terror” që u zhvillua në Paris, u takua dhe bashkëbisedoi me Presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me ministren e Drejtësisë, Nicole Belloubet dhe ministrin e Brendshëm, Gerard Collomb.

Gjatë takimeve është diskutuar lidhur me forcimin e bashkëpunimit institucional dypalësh si dhe më gjerë me vendet e Aleancës, çka do të shërbente si një garanci më shumë për suksesin e luftës kundër terrorizmit.

Diskutimet kanë qenë të frytshme dhe të dyja palët kanë marrë angazhime konkrete për bashkëpunime të mëtejshme në çështjet e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë për luftën kundër terrorizmit, si pjesë e një axhende të përbashkët.

Konferenca “No money for terror” u zhvillua në Paris me iniciativë të Presidentit francez, Emmanuel Macron, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër financimit të terrorizmit. Në konferencë morën pjesë më shumë së 80 ministra nga gjithë bota.