Postuar më: 04 Maj 2018

Nis nga Berati turi i llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj ka nisur nga qarku i Beratit, turin e llogaridhënies me qytetarët “Puna për Shqipërinë që duam”.

Në njësitë administrative Otllak dhe Velabisht, ministrja Gjonaj bashkë me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, njëkohësisht drejtues politik i qarkut të Beratit, z. Blendi Klosi, ka bashkëbiseduar me banorët e këtyre zonave për reformat e thella shtetformuese që janë ndërmarrë dhe rezultatet që ato kanë nisur të japin.

Ministrja u ndal veçanërisht në prioritetet e punës së qeverisë dhe projektet e zhvillimit që tashmë kanë nisur të realizohen në qarkun e Beratit.

Në këtë takim llogaridhënës ministrja e Drejtësisë shoqërohej nga drejtuesit qendrorë dhe vendorë të institucioneve të varësisë së MD.

Së bashku me ta, ministrja ka dhënë llogari për të gjitha çfarë është arritur deri tani, kryesisht në drejtim uljes së numrit të dokumenteve që u duhen qytetarëve për marrjen e shërbimeve, shkurtimin e kohës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit.

Nga ana tjetër, u dëgjuan me vëmendje problemet që ngritën banorët dhe iu dhanë përgjigje shqetësimeve të tyre, që lidheshin kryesisht me çështjet e pronësisë. U vlerësuan me kujdes të gjitha ankesat e bëra, veçanërisht në drejtim punës së Zyrës Rajonale të Regjistrimit të Pasurive.

Ministrja Gjonaj inkurajoi qytetarët që t’i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al për të gjitha problemet që hasin me institucionet shtetërore, sepse në këtë mënyrë mund të marrin zgjidhje në një afat të shkurtër kohor dhe nga ana tjetër ju kërkoi atyre që të denoncojnë çdo rast korrupsioni që ndeshin në sportelet e shërbimit të institucioneve.