Postuar më: 30 Tetor 2017

Procesi i vettingut filloi

Dëshiroj t’u shpreh urimet më të mira për një fillim të mbarë të punës të gjithë anëtarëve të komisioneve të Vettingut dhe stafeve të tyre, në ditën e inaugurimit të godinës së tyre, ditë që shënon njëkohësisht edhe fillimin e procesit të shumëpritur të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

Dëshiroj gjithashtu t’i përcjell me këtë rast falënderimet më të përzemërta Delegacionit të Bashkimit Europian, ShBA dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për gjithë mbështetjen e ofruar në këtë proces jetik për vendin tonë.

Jam e kënaqur që pas një pune të gjatë disavjeçare dhe jo pak pengesash në rrugëtimin e saj, fillon zyrtarisht, nga dita e sotme, zbatimi i reformës në drejtësi.  

Që në ditën e parë e qeverisjes, në shtator të këtij viti, kemi vendosur në qendër të vëmendjes zbatimin e reformës në drejtësi, përmes mbështetjes së institucioneve të rivlerësimit në terma financiarë, logjistike si dhe plotësimit të kuadrit ligjor të reformës në drejtësi.

Në mbledhjen e parë të saj, më 13 shtator 2017, qeveria shqiptare miratoi vendimin për vënien në dispozicion të ambienteve të përshtatshme për komisionin e pavarur të kualifikimit dhe operacionit ndërkombëtarë të monitorimit, në godinën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve.

Në mbledhjen e dytë, më datë 20 shtator 2017, qeveria mori vendimin për vënien në dispozicion të mjediseve të posaçme për kolegjin e apelimit, duke mundësuar kushte logjistike dhe infrastrukturore për funksionimin e këtij kolegji.

Gjatë muajit tetor qeveria miratoi rritjen historike, me 50 përqind të pagave për të gjithë anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Apelit dhe dy komisionerët e zëvendësat e tyre, të cilët do të kryejnë procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë.

Angazhimi ynë do të vazhdojë në vijim me gjithë mbështetjen e nevojshme për hartimin e akteve nënligjore të paketës së reformës në drejtësi.

Dëshiroj të siguroj komisionet e vetingut për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për zhvillimin e këtij procesi jetik, në mënyrë sa më transparente dhe të pandikuar politikisht.

Mbetet tashmë, që Komisionet e vettingut të fillojnë menjëherë nga puna për të bërë që sfida trevjeçare e miratimit të Reformës në Drejtësi, të japi rezultatet e saj për qytetarët, të bëjë të mundur rilindjen e Drejtësisë së re!