Postuar më: 24 Shkurt 2017

Rritja e aksesit në drejtësi, MD dhe UNDP marrëveshje bashkëpunimi

 

Ministria e Drejtësisë dhe UNDP firmosin  një projekt të ri: “Për një Drejtësi më të Aksesueshme për Gratë dhe Burrat në Shqipëri”

Ministria e  Drejtësisë dhe Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara ( UNDP), përfaqësuar nga Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili dhe Brian J. Williams, Përfaqësues i Përhershëm i UNDP në Shqipëri, nënshkruan sot një projekt të ri që synon të adresojë nevojat urgjente të personave vulnerabël për të aksesuar në mënyrë të papenguar dhe të barabartë sistemin e drejtësisë.

Projekti do të zgjasë për një periudhë 16 mujore dhe pjesë e ndërhyrjeve të tij do të jetë ofrimi i ekspertizës teknike për përmirësimin e ligjit të ndihmës juridike në kuadër të reformës në drejtësi, si dhe përmirësimin e mekanizmave ekzistues të ndihmës ligjore falas në disa zona të përzgjedhura. Kjo do të arrihet përmes një vlerësimi të situatës së aksesit në drejtësi parë nga këndvështrimi i personave vulnerabël; pilotim të shërbimeve ligjore falas dhe koordinim të ofruesve të shërbimeve për të arritur tek grupet në nevojë. Projekti do të ketë një element që do të synojë informimin e personave të rrezikuar mbi mënyrën e përfitimit të shërbimeve të ndihmës ligjore falas.

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili gjatë ceremonisë së nënshkrimit të projektit mes të tjerave theksoi se për Ministrinë e Drejtësisë, e cila i ka pasur gjithmonë në fokusin e saj shtresat në nevojë, kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë.

“Jam i lumtur që përfitues të drejtpërdrejtë nga ky projekt i ri do të jenë pikërisht njerëz që kanë nevojë dhe falë këtij bashkëpunimi me UNDP, ne mundemi t’u ofrojmë mbështetje për të kërkuar të drejtën e tyre, në kohën e duhur, ndërkohë që kushtet sociale dhe ekonomike nuk ia mundësonin më parë këtë akses. Një tjetër lajm mjaft i mirë është që marrëveshja mbulon dhënien e ndihmës juridike falas nga UNDP dhe bashkëpunëtorët e saj, për qytetarët në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore më të rëndësishme si Tirana, Durrësi, Fieri dhe Lezha. Do të dëshiroja që standardi i bashkëpunimit që po krijojmë me këtë projekt dhe kualiteti i të gjithë aktorëve pjesëmarrës; që përfshin ekspertët e UNDP, shoqërinë civile që do të shërbejë në terren, apo dhe stafin drejtues në institucionin që unë drejtoj, të ngelet në nivele të tilla edhe në të ardhmen. Vendosja e këtyre standardeve pozitive ndaj vetes dhe bashkëpunëtorëve do të sjellë pashmangshmërisht, cilësi produkti dhe përfitues do të jetë vetë sistemi dhe qytetarët e vendit tonë”, theksoi z. Vasili.

Brian J. Williams, Përfaqësues i Përhershëm i UNDP në Shqipëri theksoi: “Ndërkohë që reforma në drejtësi është në proces, mbetet nevojë urgjente për të adresuar dobësitë e identifikuara dhe mungesën e barazisë, kur është fjala për aksesin në drejtësi të qytetarëve, veçanërisht të atyre që i përkasin grupeve të varfra dhe të pafavorizuara, për të kërkuar dhe për të marrë një zgjidhje nëpërmjet sistemeve formale dhe joformale të drejtësisë, në përputhje me parimet dhe standardet e të drejtave të njeriut”.

Reforma në drejtësi në Shqipëri eshte nje nga prioritetet për anëtarësimin të Shqipërisë në BE. Garantimi i barazisë para ligjit të qytetarëve dhe aksesi efektiv në drejtësi janë standarde thelbësore për garantimin e të drejtave të njeriut dhe përparimin e vendit. Gratë që jetojnë në zonat rurale, gratë kryefamiljare, viktimat e dhunës ndaj grave dhe asaj në familje, romët dhe egjiptianët, personat me aftësi të kufizuara, personat LGBTI, pakicat etnike, viktimat e trafikimit njerëzor, burra e gra të moshuar, përfituesit e ndihmës sociale etj, kanë akses të pabarabartë në sistemin e drejtësisë dhe nuk mund të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre të garantuara në Kushtetutë dhe ligje. Pjesa më e madhe e popullsisë nuk është e informuar mbi mënyrat se si aksesohet sistemi i drejtësisë.

Gjatë zbatimit të projektit, Ministria e Drejtësise dhe UNDP do të bashkëpunojnë ngushtë me Parlamentin, Agjencitë e zbatimit të ligjit, Organizatat e Shoqërisë Civile, Institucionet e pavarura të të Drejtave të Njeriut, Dhomën Kombëtare të Avokatëve, Institucionet e Drejtësisë, Njësitë e Qeverisjes Vendore, institucionet akademike, partnerët ndërkombëtarë dhe mediat.