Misioni

Ministria e Drejtësisë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, ushtron funksione dhe ka në kompetencë hartimin dhe ndjekjen e politikave, përgatitjen e akteve ligjore dhe nënligjore, si dhe ushtrimin e shërbimeve të nevojshme lidhur me sistemin gjyqësor, sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale a civile, sistemin e shërbimeve të lira juridiko-profesionale, bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën civile dhe penale, fushat e tjera të drejtësisë dhe të kompetencës së saj sipas ligjit, si dhe për bashkërendimin, harmonizimin dhe reformimin e legjislacionit shqiptar në tërësi.

Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, Ministria e Drejtësisë ka për qëllim të kërkojë respektimin e Kushtetutës, të ligjeve, realizimin dhe mbrojtjen e dinjitetit, të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe të kontribuojë në parandalimin e shkeljeve të ligjit, në përputhje dhe në funksion të kërkesave të zhvillimit demokratik dhe të integrimit europian të Republikës së Shqipërisë.

Ministria e Drejtësisë, në përputhje me ligjin, mbështet, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë e saj me organet e pushtetit gjyqësor dhe me prokurorinë, duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të prokurorisë. 


Ministria e Drejtësisë, në përputhje me drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe me programin e Qeverisë, ushtron veprimtarinë e saj në fushat si vijon:
1. Ndjek dhe përgjigjet për realizimin e politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e drejtësisë.
2. Harton projektet e akteve ligjore e nënligjore në fushën e drejtësisë.
3. Jep mendim të specializuar për projektet e akteve ligjore dhe të akteve nënligjore normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave dhe të drejtuesve të institucioneve të tjera qendrore, si dhe për realizimin e reformimit të legjislacionit në përgjithësi.
4. Jep mendim të specializuar për përmbajtjen e projekteve të marrëveshjeve ndërkombëtare, që lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë ose të Këshillit të Ministrave.
5. Përgatit dhe ndjek zbatimin e metodologjise së unifikuar shqiptare për procesin ligjvënës, hartimin e akteve normative dhe terminologjinë juridike.
6. Ndjek dhe bashkërendon punët me institucionet e tjera dhe përgjigjet për procesin e realizimit të strategjisë së përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
7. Kujdeset për funksionimin dhe organizimin e pushtetit gjyqësor.
8. Drejton dhe kontrollon administratën gjyqësore.
9. Kryen inspektime dhe bën procedimin disiplinor të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit sipas ligjit.
10. Kontrollon sipas ligjit organin e prokurorisë dhe raporton te Presidenti i Republikës dhe në Kuvend.
11. Mbështet dhe merr pjesë, sipas ligjit, në realizimin e funksioneve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
12. Drejton sistemin e paraburgimit dhe të ekzekutimit të vendimeve penale.
13. Drejton sistemin e ekzekutimit të vendimeve civile dhe të titujve ekzekutivë.
14. Drejton veprimtarinë e Qendrës së Publikimeve Zyrtare.
15. Drejton shërbimin e unifikuar statistikor në fushën e Drejtësisë.
16. Mban regjistrin e gjendjes gjyqësore dhe lëshon certifikatat në bazë të atij regjistrimi.
17. Realizon shërbimet juridiko–administrative, që sipas ligjit janë në kompetencë të Ministrit të Drejtësisë.
18. Kujdeset për funksionimin dhe organizimin e avokatisë, noterisë, arbitrazhit, ndërmjetësimit, ndihmës juridike në fushën e drejtësisë dhe, në përgjithësi, për profesionet e lira juridiko-profesionale.
19. Mbështet dhe merr pjesë në bashkërendimin e veprimtarive me organet shtetërore, gjykatat dhe prokurorinë, lidhur me njohjen, studimin dhe masat për parandalimin dhe luftën kundër kriminalitetit dhe shkeljeve të ligjit.
20. Kujdeset dhe bashkërendon veprimtaritë për mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave të ligjshme të të miturve në fushën e drejtësisë, si dhe për edukimin ligjor dhe parandalimin e shkeljeve të ligjit nga të miturit.
21. Drejton shërbimet e ekspertimit ligjor.
22. Kryen drejtimin metodik të shërbimeve të gjendjes civile.
23. Kryen drejtimin metodik të shërbimeve dhe të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
24. Kryen drejtimin metodik të zyrave juridike të ministrive dhe të institucioneve të tjera qendrore.
25. Kujdeset dhe mbështet veprimtaritë për përgatitjen profesionale, aftësimin dhe specializimin e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, noterëve dhe juristëve të administratës publike.
26. Kujdeset dhe mbështet veprimtaritë shkencore në fushën e drejtësisë dhe përhapjen e edukatës juridike.
27. Kujdeset për ndjekjen dhe bashkërendimin e marrëdhënieve me shoqërinë civile për fushën e drejtësisë.
28. Ndjek bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën penale dhe civile dhe, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, ku shteti shqiptar është palë, realizimin e marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet kompetente të shteteve të tjera, si dhe me organizma ndërkombëtarë.
29. Kryen funksione të tjera në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare ku shteti shqiptar është palë.
30. Kryen funksione dhe veprimtari të tjera në përputhje me ligjin