Postuar më: 19 Shkurt 2016

Prezantimi i risive dhe ndryshimeve në Kodin e Ri të Procedurave Administrative

 

Prezantimi i risive dhe ndryshimeve në Kodin e Ri të Procedurave Administrative 

 

Departamenti i Administratës Publike dhe Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri”, projekt financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga Qeveria franceze dhe italiane, do të organizojnë disa aktivitete informuese me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë publikë. Fokusi i këtyre aktiviteteve do të jetë informimi i pjesëmarrësve mbi risitë dhe ndryshimet që ka sjellë Kodi i Ri i Procedurave Administrative.

 

Aktivitetet informuese do të organizohen gjatë javës së 22-26 shkurtit 2016, me pjesëmarrjen e disa prej institucioneve kryesore në rajonet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Këto aktivitete do të organizohen sipas rendit të paracaktuar, si më poshtë:

 

  • Aktiviteti i parë informues do të organizohet të hënën, 22 shkurt 2016 në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. Grupi i synuar do të jenë punonjësit e administratës publike qendrore.
  • Aktiviteti i dytë informues do të organizohet të martën, 23 shkurt 2016 tek Dhoma e Avokatëve. Grupi i synuar do të jenë avokatët shqiptarë.
  • Aktiviteti i tretë do të organizohet të mërkurën, 24 shkurt 2016 në ambientet e Shkollës së Magjistraturës. Grupi i synuar do të jenë profesorët dhe studentët.
  • Aktiviteti i katërt do të organizohet të enjten, 25 shkurt 2016 në ambientin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”- Fakulteti Juridik. Grupi i synuar do të jenë profesorë e studentë të fakultetit të Durrësit si dhe zyrtarë të tjerë rajonalë. 
  • Aktiviteti i pestë do të organizohet të premten, 26 shkurt 2016, në ambientet e Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”. Grupi i synuar do të jenë profesorë e studentë të fakultetit juridik të Vlorës si dhe zyrtarë të tjerë rajonalë.

 

Projekti “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri” filloi aktivitetin në maj 2015. Synimi i projektit është mbështetja e Qeverisë shqiptare në procesin e forcimit të qeverisjes dhe efiçencës në sektorin publik. Projekti, midis të tjerave, synon të mbështesë procesin e zbatimit të Kodit të Ri të Procedurave Administrative dhe të ngrejë standardet e administratës shqiptare në nivelet e kërkuara nga Bashkimi Europian.

 

Dëshirojmë të ftojmë çdo person që është i interesuar për t’u informuar mbi Kodin e Ri të Procedurave Administrative të marrë pjesë në këto trajnime.