Postuar më: 07 Nëntor 2013

Takim i nivelit të lartë me delegacionin COWEB

Një delegacion i lartë me përfaqësues të grupit të punës të Këshillit të Europës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB) kanë zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Ministrine e Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë Z. Naço i ka pritur përfaqësuesit e COWEB –it në një takim duke vënë në dukje se kjo vizitë zhvillohet në një moment të rëndësishëm reformash të thella e tërësore në të gjitha fushat por vëçanërisht edhe në sistemin e drejtësisë.

Në fillim të takimit Ministri Naço është ndalur në prezantimin e hapave të ndërmarra dhe të parashikuara për t’u ndërmarrë në kuadër të reformës në drejtësi, duke patur parasysh gjetjet e “Progres Raportit- 2013” për drejtësinë.

Gjatë fjalës së tij Ministri Naço i ka informuar të pranishmit se institucioni që ai drejton ka ndërmarrë një sërë masash me karakter legjislativ dhe administrativ, kryesisht në përmirësimin e legjislacionit me qëllim përafrimin e plotë të tij me standardet më të mira europiane dhe në fuqizimin e forcës ndëshkuese të ligjit.

Korrupsioni është evidentuar gjatë takimit si një fenomen mjaft shqetësues dhe Ministri Naço është angazhuar në zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit specifikisht për sistemin e drejtësisë, e cila do të synojë reformimin e sistemit gjyqësor dhe vendosjes në vend të dinjitetit të tij të cënuar, duke nxitur angazhimin profesional të gjyqtarëve për t’i shërbyer bërjes drejtësi dhe shmangies së praktikave të deritanishme korruptive.

Reformimi i gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese, nevoja e ndryshimeve në ligjin për Avokatin e Popullit, etj kanë qenë disa nga cështjet për të cilat ka pasur interes nga të pranishmit në takim.