Jemi të vendosur, lufta ndaj korrupsionit do të jetë një nga kryefjalët e këtij mandati

20 mars 2018

Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj në Forumin e Parë Konsultativ Antikorrupsion

 

E nderuar zonja Ambasadore e Gjermanisë!

I nderuar z. Kreutzer!

Të nderuar pjesëmarrës dhe miq!

Më vjen mirë, që ne organizojmë këtë takim të parë pikërisht këtu në Ministrinë e Drejtësisë, ku Ministri i Drejtësisë ka si përgjegjësi rolin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që korrupsioni përbën një kërcënim real për rendin demokratik dhe social të shoqërisë sonë, duke cenuar kështu parimet e barazisë para ligjit, të paanshmërisë së administratës publike dhe të konkurrencës së lirë në sektorin privat.

Ky fenomen ndikon drejtpërdrejt për zhvillimin ekonomik të vendit, dhe minon besimin e publikut tek administrata shtetërore dhe shërbimet që ajo ofron për qytetarët.

Qeveria shqiptare ka qenë gjithmonë e fokusuar në luftën kundër korrupsionit, duke u përpjekur të ndërtojë një sistem efikas të funksionimit të administratës publike, si një domosdoshmëri për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni.

Reformat shumë të rëndësishme që janë në proces, si Reforma në Drejtësi, reforma e derregullimit, reforma për qeverisjen elektronike, reforma e shërbimeve, përbëjnë një parakusht shumë të rëndësishëm për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit.

Nga ana tjetër, tre shtyllat në programin qeverisës për luftën ndaj korrupsionit:

-           Transparenca; Integriteti; Derregullimi, po zbërthehen në mekanizma e veprime që mundësojnë krijimin e sistemeve për t’i përkthyer këto reforma në rezultate të prekshme për qytetarët.

Ne po vijojmë me zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Antikorrupsion 2015-2020, dokument i cili integron kontributet e institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, të institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, për të zbatuar masat e planit Antikorrupsion, që derivojnë nga kjo strategji.

Plani i veprimit 2018-2020 i Strategjisë Ndërsektoriale Antikorrupsion dhe Pasaporta e Indikatorëve, draftet e para të të cilave sot do të prezantohen pikërisht në këtë takim, vendosin një standard të ri për planifikimin, por edhe në sistemin e monitorimit sasior dhe cilësor të përpjekjeve dhe kontributeve institucionale kundër korrupsionit.

Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, jam e angazhuar me të gjitha forcat për të punuar së bashku me ju dhe me institucionet përkatëse, për përmirësimin e perceptimit për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Përfshirja dhe kontributi aktiv i të gjithëve ne, është një element kyç për përmbushjen e kësaj sfide.

Nga ana tjetër qeveria në mënyrë të vazhdueshme ka ftuar qytetarët të bëhen pjesë e kësaj lufte, sa të vështirë, aq edhe të rëndësishme për shtetin demokratik dhe funksional që kërkojmë të ndërtojmë.

Nga viti 2016, pas një procesi 2-vjeçar të konsultimit të tij me publikun, është në fuqi ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i cili ka për qëllim të mbrojë sinjalizuesit, duke krijuar një strukturë të re, nën mbikëqyrjen e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së, të autorizuar për të hetuar rastet si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, për të parandaluar dhe goditur korrupsionin në këta sektorë, si dhe nxitjen e sinjalizimit për veprimet ose praktikat e dyshuara të korrupsionit.

Sinjalizimi është një praktikë e re si në Shqipëri edhe në Rajonin tonë, e cila ndihmon drejtpërdrejt në rritjen e integritetit, të përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies në administratën publike, duke vënë theksin në mbrojtjen e interesit e të gjithë shoqërisë.

Ja pse ne e konsiderojmë mbrojtjen e sinjalizuesve, më shumë se sa një çështje teknike, një çështje të etikës dhe të moralit të shoqërisë sonë.

Ndryshe nga perceptimi i sinjalizimit nën sistemet autoritare, në sistemin demokratik, sinjalizimi dhe sinjalizuesi janë aleatë të sistemit demokratik, të zbatimit të ligjit dhe të zhvillimit ekonomik të vendit.

Tradicionalisht dhe jo vetëm në Shqipëri, vetëm një pjesë e rasteve të korrupsionit, shkon për ndjekje penale, për shkak se ky fenomen shpesh ndodh në mënyrë të fshehtë.

Pikërisht përkundrejt këtij “Pakti të ndaluar”, nëse do të më lejoni ta quaj kështu, e vetmja mundësi që shteti dhe organet ligjzbatuese të kenë sukses, është bashkëpunimi me sa më shumë aktorë dhe faktorë të tjerë të shoqërisë, që janë në krahun e drejtësisë, në krahun e interesit të qytetarëve.

Shoqëria civile, institucionet e pavarura dhe në mënyrë të veçantë publiku kanë qenë dhe do të jenë aleatët e qeverisë në këtë luftë.

Krijimi i forumit të parë konsultativ, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve dhe të gjithë aktorëve të fushës, është një hap shumë i rëndësishëm, një hap drejt institucionalizimit të një bashkëpunimi konkret dhe efikas në luftën kundër korrupsionit.

Sot, po organizojmë të parin nga 4 Forumet konsultative që do të mbahen gjatë këtij viti.

Integriteti, konflikti i interesit, transparenca do të jenë kryefjala e veprimtarisë së Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion për vitin 2018.

Sfida jonë është jo vetëm të ulim korrupsionin, por edhe të ulim perceptimin e publikut ndaj fenomenit të korrupsionit.

Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e publikut, është një nga elementet kyç, që ndikon në efikasitetin dhe suksesin e kësaj sfide jetike për shtetin.

Kryeministri, por edhe të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar në mënyrë të vazhdueshme i kanë ftuar qytetarët të bëhen pjesë e kësaj lufte, pikësëpari duke refuzuar absolutisht, të paguajnë ryshfet për çfarëdo shërbimi që atyre u takon me ligj dhe që administrata është e detyruar t’jua ofrojë pa pagesë.

Dhe nga ana tjetër, duke denoncuar të të gjitha rastet korruptive me të cilat ndeshen, të gjithë nëpunësit e administratës, apo persona të tjerë që në mënyrë të paligjshme ju kërkojnë të paguajnë ryshfet për shërbime që ligjërisht duhet t’i ofrojnë vetë, apo nga persona të tretë.

Do të vazhdojmë në këtë rrugë, duke shtuar masat që na takojnë si Qeveri, për të forcuar sistemin, për të rritur kontrollin mbi administratën publike dhe për të evidentuar dhe  për të dërguar përpara drejtësisë të gjithë ata që do të shfrytëzojnë detyrën për të bërë korrupsion.

E në të njëjtën kohë duke qenë të hapur për çdo propozim institucional që do të vijë nga shoqëria civile, nga institucionet e pavarura dhe në mënyrë të vazhdueshme nga publiku, për mënyrat se si mund ta bëjmë më efikas këtë aksion të madh që kemi ndërmarrë.

Korrupsioni rrezikon sundimin e ligjit. Kur procedurat për vendimmarrje të përcaktuara me ligj, shtrembërohen dhe miratohen, apo fillojnë të minohen me qëllim mbrojtjen e interesave të paligjshme, përmes pagesës së ryshfetit, apo përmes ofrimit të përfitimeve të paligjshme, kjo sigurisht që i sjell një dëm të madh të mirës publike.

Jemi të vendosur që lufta ndaj korrupsionit të jetë një nga kryefjalët e këtij mandati, kjo në shërbim dhe vetëm në shërbim të qytetarëve, por edhe në shërbim të suksesit të çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Vetëm duke qenë në një front të përbashkët mund të kemi sukses ndaj këtij fenomeni që është sot një shqetësim real, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vende me demokraci shumë herë më të konsoliduara se ne.

Më lejoni t’ju falënderoj për të gjitha përpjekjet për hartimin e këtyre dokumenteve shumë të rëndësishme që do të na bashkëshoqërojnë këto dy vite përpjekje për të luftuar korrupsionin, por do të doja të falënderoja mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, pa të cilët, pa diskutim, do të ishte e pamundur që ne sot të kishim këto dy dokumente shumë të rëndësishme, shumë reale dhe konkrete, me qëllim që ta bëjmë më efikase luftën kundër korrupsionit.

Falënderoj gjithashtu zotin Kreutzer, që drejton projektin Twinning, i cili na ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme dhe do të na mbështesë gjithashtu për të përgatitur edhe një strategji komunikimi dhe gjithëpërfshirjeje me qytetarët dhe aktorët e shoqërisë civile, për të qenë bashkudhëtarë në këtë rrugë dhe në këtë luftë kundër korrupsionit.

Falënderoj gjithashtu Bashkimin Evropian, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka qenë promotor i iniciativave dhe përpjekjeve duke i mbështetur nismat e qeverisë shqiptare, jo vetëm në reformat e rëndësishme siç është reforma kundër korrupsionit, apo Reforma në Drejtësi, por për të gjitha iniciativat në përpjekjet tona të mëdha për shtetbërjen.