Postuar më: 09 Shkurt 2017

Bashkëpunimi me Britaninë e Madhe, Ministri Vasili takon Amb. Norman.

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili, ka pritur në një takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Shqipëri, z. Duncan Norman.

Gjatë takimit Ambasadori Norman vlerësoi bashkëpunimin dhe koordinimin e deritanishëm të punës me Ministrinë e Drejtësisë dhe e uroi z. Vasili për marrjen e detyrës së re si Ministër i Drejtësisë.

Ministri Vasili ka shprehur mirënjohjen tij për asistencën e deritanishme të dhënë nga Britania e Madhe në mjaft sektorë të ndjeshëm të sistemit të drejtësisë.

Lidhur me vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, Ambasadori Norman është ndalur në disa propozime konkrete, ku mes tyre me interes do të ishte edhe nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi me qëllim shkëmbimin e të dhënave për dënimet penale që mund të jenë dhënë nga gjykatat respektive të të dy vendeve.

Ministri Vasili ka shprehur vullnetin e tij për finalizimin e këtyre projekteve duke vlerësuar se duhet të ngrihen sa më parë grupet teknike të punës për të konkluduar draftet paraprake.

Njëkohësisht gjatë takimit Ambasadori Norman shprehu vullnetin për vijimin e asistencës së Britanisë së Madhe në drejtim të sistemit penitenciar, veçanërisht përsa i takon ndihmës për menaxhimin e riskut në burgje.

Z. Vasili shprehu mirënjohjen për adresimin e asistencës britanike me projekte konkrete në çështjet më problematike të sistemit të burgjeve.