Postuar më: 17 Qershor 2017

Deklaratë e Ministrit të Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi përshëndet emërimin nga Kuvendi i Shqipërisë të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit, dhe e vlerëson këtë si hapin e parë për bërjen funksionale të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, si dhe implementimit praktik të ndryshimeve kushtetuese në kuadër të Reformës në Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë, pret të gjejë tek organet e reja të vetingut, një partner serioz dhe të besueshëm, për ndërtimin e një sistemi drejtësie eficent dhe në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

Ministri Bardhi i uron suksese të gjitha anëtarëve dhe gjyqtarëve të organeve të vetingut, dhe shpreh besimin e plotë se ato do të përmbushin me korrektësi dhe sipas pritshmërive të qytetarëve shqiptarë, detyrën e vështirë e jashtëzakonisht të rëndësishme që i është besuar dhe kanë pranuar.