Postuar më: 20 Nëntor 2017

Drejt një Strategjie për të Miturit

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me UNICEF, organizoi sot tryezën e diskutimit me temë “Drejt një Strategjie të Drejtësisë për të mitur”. Në përvjetorin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, Ministrja e Drejtësisë, Zj. Etilda Gjonaj prezantoi për konsultim projekt-strategjinë e drejtësisë për të mitur 2017-2020 si dhe nismat legjislative që ka në proces Ministria e Drejtësisë në këtë fushë.

Në tryezë ishin të pranishëm përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Z. Ezio Gianni Murzi, Ministri i Brendshëm, Z. Fatmir Xhafaj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Zj. Ogerta Manastirliu, Avokatja e Popullit, Zj. Erinda Ballanca si dhe organizata, partnerë institucionalë dhe ekspertëve të fushës, të cilët kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme për mbrojtjen e të drejtave të të miturve.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Drejtësisë theksoi kontributin e reformës në drejtësi në përmirësimin e legjislacionit për të mitur, përmes miratimit të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, si një ligj organik për trajtimin e të miturve.

Gjithsesi, mbetet ende shumë për të bërë – theksoi ajo -  lidhur me standardet e jetesës së të miturve në burgje, respektimin e të drejtave të tyre nga organet e drejtësisë, polici, prokurori, gjykata, burgje etj.

Ministria e Drejtësisë, si një ndër Ministritë përgjegjëse, është duke ndjekur punën për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, me ndihmën e UNICEF.

Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja e Drejtësisë ftoi të gjithë pjesëmarrësit të japin kontributin e tyre për përmirësimin e projekt-Strategjisë, brenda muajit dhjetor 2017, me qëllim që në janar 2018 të nisë zbatimi i Strategjisë dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur. Ministrja garantoi gjithashtu pjesëmarrësit për një proces konsultimi sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës.