Postuar më: 22 Dhjetor 2017

Festat e fundvitit, Ministrja Gjonaj vizitë në Institucionin e të Miturve në Kavajë

Sot Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, mori pjesë në një aktivitet festiv të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Institucionin e të Miturve në Kavajë. Në një bashkëbisedim të veçantë me të miturit që shlyejnë dënim në këtë institucion, si dhe me praninë e nxënësve të gjimnazit “Aleksandër Moisiu” në Kavajë, Ministrja Gjonaj theksoi rëndësinë e madhe të riintegrimit të tyre në shoqëri pas mbarimit të dënimit.

Në këtë kuadër, Ministrja e Drejtësisë ftoi gjimnazistët të presin me krahë hapur dhe të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre që kthehen në bankat e shkollës pas shlyerjes së dënimit, si një parakusht që gabimin e kryer në një moshë delikate të mos e ripërsërisin.

Znj. Gjonaj ritheksoi po ashtu angazhimin e palëkundur jo vetëm të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të sajin personal, për të ndihmuar të miturit të cilët janë në fund të dënimit të tyre, ose ata që marrin nga gjykata dënime alternative.

Ministrja Gjonaj i mëshoi faktit se Ministria e Drejtësisë ka ngritur një sektor për drejtësinë penale për të miturit, pas hyrjes në fuqi të Kodit të Drejtësisë për të miturit, ku jo vetëm do të ketë mundësinë të trajtojë të miturit të cilët do të jenë në fund të dënimit të tyre, por edhe të mitur të cilët do të marrin nga gjykata dënime alternative. Përmes këtij sektori do të jetë shumë më e lehtë gjithë pjesa e integrimit më pas në jetën e përditshme.

Në këtë ditë festive të miturit në institucionin e Kavajës kishin pregatitur kartolina urimi si dhe punime përmes artit të pirografisë. Vëmendjen e tërhoqën edhe mesazhet inkurajuese dhe sensibilizuese që nxënësit e shkollës së mesme kishin shkruar për bashkëmoshatarët e tyre.

Atmosfera u bë edhe më e ngrohtë falë bashkëpunimit me organizatën humanitare të Caritasit Shqiptar që dha ndihmesën e tij në zbukurimin e ambienteve si dhe me dhuratat dedikuar të miturve.

Dhurata e Ministrisë së Drejtësisë erdhi në sajë të kontributit të projektit suedez për drejtësinë e integruar të të miturve. Sallës së lojërave në Institucionin e të miturve në Kavajë, iu shtua edhe një tavolinë ping pongu…