Postuar më: 29 Dhjetor 2017

Festat, Ministrja Gjonaj me të dënuarat dhe të paraburgosurat e IEVP “Ali Demi”

Në prag të festës së ndërrimit të viteve, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve z. Arben Çuko si dhe dy deputetet znj.Vasilika Hysi dhe znj. Elona Gjebrea u bënë pjesë e një aktiviteti që u organizua në burgun “Ali Demi” në Tiranë. 
Kjo ditë feste u konceptua e tillë, që gratë të ndiheshin edhe më të plotësuara duke sjellë pranë tyre fëmijët dhe familjarët.
Ministrja Gjonaj në fjalën e saj tha se ndihej e kënaqur teksa shikonte gratë dhe vajzat e dënuara të angazhuara në kurset profesionale dhe programet e trajnimit që ofrohen në ambientet e burgut, në marrjen e një profesioni ose zanati, që e bën më të lehtë përballjen e tyre me jetën pas përfundimit të dënimit.  Këtij qëllimi i shërben edhe marrëveshja e bashkëpunimit me Ministrinë Italiane të Drejtësisë, për realizimin e disa trajnimeve profesionale që do t’u ofrohen grave të dënuara, me programe të mirëmenduara, të studiuara, për të krijuar mundësi përfitimi edhe të të ardhurave. 
Ministrja theksoi se nismat që po ndërmerren nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë qëllim që dënimi të mos shihet si ndëshkues por si një periudhë rehabilitimi.
Ministrja u bëri thirrje biznesve dhe sipërmarrësve të ofrohen në institucionet e vuajtjes së dënimit për t’ju dhënë mundësi të dënuarve të angazhohen në punë, njësoj si gjithë pjesa tjetër e shoqërisë.
Për ti shpalosur talentet që shumë të dënuar shfaqin, përmes pikturave, punimeve artizanale etj, Ministrja theksoi se do të përgatiten programe vjetore, ku do të përfshihen aktivitete jo vetëm brenda institucionit por dhe jashtë tij, me qëllim që të gjithë të kenë mundësi të shohin punimet e realizuara me mjeshtri dhe profesionalizëm.
Gjatë kësaj vizite, Ministrja Gjonaj bashkë me të ftuarit e tjerë vizituan ambientet e pastiçerisë që është ngritur brenda ambienteve të IEVP, ku ishin ekspozuar edhe disa nga prodhimet që 8 të dënuarat e punësuara realizojnë në këtë pasticeri. 
Më pas pjesë e vizitës ishte ekspozita me piktura dhe punime të tjera artizanale realizuar nga gratë e dënuara.
Ndihmesë në realizimin e festës në burgun e grave dha organizata humanitare CARITAS si dhe qendra Sole.  Ndërkohë që për fëmijët e të dënuarave ishte organizuar një shfaqje me animatorë, këngë dhe valle nga Asambli i të dënuarave si dhe u shpërndanë dhurata nga Ministria e Drejtësisë, deputetet si dhe nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.