Postuar më: 07 Qershor 2018

Gjonaj takime zyrtare, autoritetet gjermane vlerësojnë arritjet e Shqipërisë

Gjatë vizitës së saj në Berlin, Ministrja e Drejtësisë u prit në një takim në Ministrinë e Brendshme Federale nga z. Stephan Meyer, Sekretar Shteti Parlamentar në Ministrinë e Brendshme Federale, si dhe në dy takime në Bundestagun Gjerman nga z. Patrick Sensburg, Kryetar i Komisionit për Imunitetet, Zgjedhjet dhe Rregullat Procedurale dhe z. Johannes Fechner, zëdhënës i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e konsumatorëve. Gjatë këtyre takimeve Ministrja njohu përfaqësuesit e këtyre institucioneve me zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë këtyre takimeve u diskutua propozimi i Komisionit të Bashkimit Evropian për hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Shqipërinë si dhe reformat e thella që ka ndërmarrë qeveria jo vetëm si detyrim në kuadër të këtij procesi, por sidomos për zhvillimin evropian të Shqipërisë.

Autoritetet gjermane, si edhe deputetët e Bundestagut, vlerësuan arritjet e Shqipërisë, veçanërisht rezultatet e para të vetingut dhe mbështetën fort vijimin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, të cilat garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër kriminalitetit, emigrimit të paligjshëm si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe pjesëmarrjen në tregun e përbashkët evropian.

Z. Sensburg u shpreh i gatshëm për të mbështetur në çdo formë përpjekjet për promovimin e arritjeve të Shqipërisë jo vetëm me zyrtarët publikë në Gjermani por edhe me qytetarët gjermanë për të kuptuar proceset e rendësishmë që po ndërmerr Shqipëria si dhe efektet që kanë këto procese edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, z. Fechner, shprehu vlerësimin e tij për reformat e ndërmarra deri më tani si dhe u shpreh i gatshëm që t’i përcjellë të gjithë kolegëve të tij rezultatet e prekshme të arritura si pasojë e këtyre reformave. Gjithashtu, z. Fechner shprehu gatishmërinë e tij si dhe të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve për të ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë dhe qeverinë Shqiptare në luftën kundër korrupsionit.