Postuar më: 25 Nëntor 2017

Hapja e Zyrës Juridike dhe Zyrës së Koordinimit kundër Dhunës në Familje

25.11.2017 - Me rastin e ditës kombëtare kundër dhunës në familje, u zhvillua sot në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, ceremonia e hapjes së Zyrës së Ndihmës Juridike dhe Zyrës së Koordinimit të Dhunës në Familje, të cilat në thelb të misionit të tyre kanë ofrimin e këshillimit ligjor falas për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë.

Në fjalën e mbajtur para të ftuarëve, në praninë e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Znj. Ogerta Manastirliu si dhe Ministrit të Brendshëm, Z. Fatmir Xhafaj, Ministrja Gjonaj theksoi punën e bërë në këtë drejtim, në kuadër të politikave të bashkëqeverisjes me qytetarët dhe me  përkrahjen e veçantë të Kryeministrit Z. Edi Rama.

Me hapjen e Zyrës së Ndihmës Juridike, theksoi Ministrja, Ministria e Drejtësisë përmbushi premtimin e dhënë në objektivat e 100 ditëve të para të qeverisjes.

“Kjo nismë është vetëm fillimi i punës në fushën e ndihmës juridike për qytetarët, e cila do të pasohet në vijim me miratimin e ligjit dhe vënien në funksion të ofrimit të ndihmës juridike për qytetarët në pamundësi financiare dhe në nevojë”.

Në fjalën e saj, Ministrja e Drejtësisë kërkoi bashkëpunimin e të gjithë aktorëve për adresimin e problematikave dhe masat që duhet të ndërmerren në luftën kundër dhunës ne familje. Një falenderim i veçantë shkoi dhe për Fondacionin Soros, bashkëpunimi me të cilin mundësoi bërjen realitet të hapjes së Zyrës së Ndihmës Juridike.