Postuar më: 08 Maj 2017

Ministri Vasili në takimin “Roli i Shërbimit të Provës në Rehabilitimin e të Dënuarve të Mitur”

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili, mori pjesë sot në takimin “Roli i Shërbimit të Provës në Rehabilitimin e të Dënuarve të Mitur”, ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Tiranë që operojnë në këtë fushë, OSBE dhe UNICEF.   

Në fjalën e tij, ministri Vasili vlerësoi pozitivisht arritjet në këtë fushë, duke vënë theksin tek numri i lartë i fëmijëve të riintegruar në shoqëri vitet e fundit, por edhe miratimi i Kodit të Drejtësisë për të Mitur. 

Duke e konsideruar riintegrimin e të miturve një sfidë, z. Vasili tha se mobilizimi shoqëror duhet të jetë në nivelin më të lartë, pasi riintegrimi i të miturve është një sfidë e cila në vetvete ka një ndjeshmëri të fortë shoqërore, psikologjike dhe më së fundi e më kryesorja lidhet me të ardhmen, pasi sipas z. Vasili, një dëm i shkaktuar në mënyrë të pariparueshme në një moshë shumë të re, është një dëm për shoqërinë për një kohë shumë të gjatë.

Ministri i Drejtësisë, pasi vlerësoi me nota pozitive bashkëpunimin tashmë të konsoliduar me OSBE dhe UNICEF në këtë fushë, tha se është pozitive dhe për t’u nënvizuar që në periudhën prej 2009 deri 2014, ne kemi pasur vetëm 19 raste të referuara të fëmijëve për t’i punësuar apo riintegruar më mirë, ndërsa nga 2014 deri sot në 2017 kemi 143 raste.

“Janë shifra, të cilat flasin vetë dhe mua më gëzojnë, sepse në radhë të parë kemi vendosur një mentalitet krejtësisht të ri, një mentalitet integrues shumë të fortë tek i cili jo vetëm besojmë por dhe rezultatet na kanë dhënë të drejtë. Në momentin e parë, unë i kuptoj hezitimet që mund të kenë pasur implementuesit e dikurshëm, sepse përplasja me mentalitetin është një përplasje e fortë, por shifrat të cilat ngrihen në nivele të larta tregojnë që këmbëngulja mund të bëjë që të kesh rezultate shumë të mira”, vijoi Ministri Vasili  

Për z. Vasili, fakti që nga 143 të mitur, 50 prej tyre kanë përfunduar në mënyrë të suksesshme kurset e formimit profesional dhe të tjerët janë në vazhdimësi e sipër, është një ngjarje e mirë.

“Bashkëpunimi me zyrat rajonale të punësimit si dhe hartimi i programeve mësimore të veçanta për këtë kategori, sigurisht duhet të shënojë një ritëm të ri, pasi integrimi i këtyre fëmijëve është më i vështirë, por njëkohësisht edhe shumë i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare”, nënvizoi ministri i Drejtësisë, ndërsa theksoi se vetëm puna është integrimi më i mirëpër këta fëmijë.

“Të jeni të bindur që ata nëpërmjet punës do të jenë absolutisht të njëjtë me të tjerët, të nderuar si të tjerët, të dobishëm si të tjerët dhe do të jenë familjarë të mirë po aq sa gjithë të tjerët”, shtoi z. Vasili, sipas të cilit, e gjithë periudha e dënimit ka qenë një riedukim, një riintegrim, një rifitim që i bën shoqëria atyre dhe ata shoqërisë shqiptare.   

Ndërsa u ndal tek miratimi i Kodit të Drejtësisë për të Miturit, z. Vasili e vlerësoi këtë një ngjarje shumë të mirë, por dhe shumë të rëndësishme për drejtësinë shqiptare, ku sipas tij, çdo hap që hidhet në këtë drejtim është një hap me rëndësi dyfishe në raport me çdo hap tjetër ligjor. Ky kod, sipas tij, stabilizon një standard drejtësie, një drejtësi më miqësore për të miturit, pra një drejtësi e cila në radhë të parë edukon, integron dhe ku burgu është një masë alternative, përjashtimore, e fundit nga të fundit të të gjitha masave që mund të merren kur bëhet fjalë për një fëmijë.

Për z. Vasili, ky akt jep mundësi që kjo mënyrë e re bashkëpunimi qoftë me Prokurorinë, Shërbimin e Provës, Shërbimin Social e Shërbimet Arsimore në Policinë e Shtetit, bën që fenomeni të ecë në dy rrugë themelore, jo vetëm në drejtim të parandalimit të fenomeve, që është zgjidhja më e shkëlqyer, më prioritare, më e mirë, zgjidhje e cila jep një dimension, por njëkohësisht dhe rehabilitimi i tyre.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri Vasili vuri në dukje se modeli që po promovohet sot është një model i cili duhet të na bëjë të reflektojmë të gjithëve dhe të na largojë nga të qënurit të sipërfaqshëm në vështrimin e këtyre çështjeve

“Çdo fëmijë i rikuperuar që ecën në një rrugë të mirë është një shërim për të, por edhe për shoqërinë. Diku kanë bërë një gabim për arsye nga më të ndryshmet, arsyet shpeshherë janë dhe objektive, arsye të një shoqërie që nuk funksionon, të një varfërie që në raste të caktuara është e dhimshme përtej çdo limiti, po dhe të një familje shqiptare që shpeshherë ndodhet e trazuar në brendësinë e saj dhe fëmijët janë viktima”, u shpreh z. Vasili