Postuar më: 10 Tetor 2017

Ministria e Drejtësisë shpall publikisht konkursin publik për 26 pozicionet vakante për Drejtues të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurisë

Deklaratë për mediat e Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj:

Më lejoni tju njoftoj se, sot Ministria e Drejtësisë shpall publikisht konkursin publik për 26 pozicionet vakante për Drejtues të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurisë (ose ndryshe hipotekat) në rrethet Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Lezhe, Lushnjë, Sarandë, Skrapar, Shkodër, Tiranë, Vlorë, Bulqizë, Devoll, Fier, Has, Kolonjë, Kurbin, Kucovë, Mallakastër, Mat, Mirditë, Përmet, dhe Pogradec.

Ky, është hapi i parë i reformës në hipoteka, reformë e cila përfshihet në planin e veprimit 100-ditor të qeverisë për reformimin e shërbimeve publike për titujt e pronësisë dhe do të vijojë më tej me organizimin e konkurrimit për të gjithë personelin e  të gjithë zyrave të hipotekave në vend.

Jemi të vetëdijshëm për shërbimin e ofruar deri më sot, i cili shpeshherë ka qënë shumë poshtë pritshmërive të qytetarëve.

Eshtë pikërisht përmirësimi i këtij shërbimi në cilësi dhe shpejtësi si dhe zhdukja e cdo rasti korruptiv, arsyet që na cojnë në hapjen e konkursit publik, për të patur në krye të zyrave te hipotekave në cdo cep të Republikes së Shqiperise nepunës serioz shteti, shërbyes të qytetarit, dhe jo shërbyes të partive politike apo interesave financiare. 

Ftojmë dhe motivojmë, të gjithë qytetarët që vlerësojnë se përmbushin kriteret ligjore për këto pozicione të dërgojnë aplikimet e tyre elektronikisht ose me postë në adresën e Ministrisë së Drejtësisë dhe të bëhen pjesë e kësaj reforme që sapo kemi filluar.

Ju garantojmë të gjithë aplikuesve një proces transparent dhe objektiv vlerësimi, me  qëllim zgjedhjen e personave më të përshtatshëm dhe më profesionistë në drejtim të shërbimeve publike për regjistrimin e titujve të pronësisë.   

Ky konkurs është vetëm hapi i parë që hedhim në përmbushje të angazhimit të marrë ndaj qytetarëve për rekrutimin e nëpunësve publikë përmes procedurave transparente për njoftimin e vendeve vakante dhe vlerësimit mbi baza meritokracie dhe integriteti. Kjo, me qëllim për tu ndarë nga e shkuara e emërimeve me baza diskrecionare të titullarëve të institucioneve.

Po kështu, në të njëjtën  mënyrë, reformimi në rekrutimin e stafit drejtues do të vijojë në ditët e ardhshme dhe për sistemin e burgjeve dhe institucioneve të tjera në varësinë e Ministrisë së Drejtësisë.

Me këtë reformim synojmë që tu japim qytetarëve dhe komunitetit të biznesit, një shërbim sa më dinjitoz, të ndershëm dhe të shpejtë në zyrat e hipotekave.