Postuar më: 09 Nëntor 2017

Ministrja e Drejtësisë takon Ministrin e Drejtësisë së Turqisë Z.Abdulhamit GÜL

Me datë 8 Nëntor, Ministrja e Drejtësisë Znj. Etilda Gjonaj zhvilloi një takim me Ministrin e Drejtësisë të Turqisë Z. Abdulhamit Gül, me rastin e vizitës së tij në Shqipëri.

Theksi në takimin bilateral u vu mbi marrëdhëniet e mira dhe të forta që ekzistojnë midis vendeve, jo vetëm në fushën ekonomike por edhe në fushën e bashkëpunimit ndërgjyqësor dhe atë të drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë Znj. Gjonaj shprehu angazhimin e saj dhe siguroi Ministrin e Drejtësisë  që midis dy vendeve do të vazhdojë bashkëpunimi reciprok në fushën e drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë Turke gjatë vizitës shprehu konsideratat e tij pozitive në kuadër të forcimit të marrëdhënieve në fushën e gjyqësorit midis dy vendeve në zbatim të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara. Një bashkëpunim i ngushtë gjatë viteve të fundit ka qenë dhe midis Shkollës së Magjistraturës dhe Prokurorisë të dy vendeve.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua për ndihmën dhe mbështetjen në sistemin penitenciar të Ministrisë së Drejtësisë Turke për Ministrinë e Drejtësisë shqiptare, si në aspektet logjistike ashtu edhe në ngritje kapacitetesh të stafit policor dhe civil të burgjeve.

Në këtë takim u diskutua për reformën në drejtësi, ku ndër të tjera Znj. Gjonaj theksoi edhe njëherë rëndësinë e madhe të kësaj reforme për të pasur një gjyqësor dhe një prokurori të paanshme dhe të pa korruptuar.

Të dy ministrat në mbyllje të takimit, shprehën mbështetjen e tyre për vazhdimësinë dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë.