Postuar më: 20 Mars 2018

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj në Forumin e Parë Konsultativ Antikorrupsion

Ministrja e Drejtësisë, znj Etilda Gjonaj në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion ka mbledhur sot Forumin e Parë Konsultativ Antikorrupsion, në të cilin është prezantuar procesi i hartimit të Planit të Veprimit 2018 – 2020 dhe pasaportës së Indikatorëve për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër korrupsionit.

Në këtë forum merrnin pjesë përfaqësues të ministrive të ndryshme, institucioneve të pavarura kushtetuese, shoqërisë civile, medias dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare.

Duke marrë fjalën në takim, ministrja Gjonaj ka shprehur angazhimin e saj personal për të punuar së bashku me gjithë aktorët e tjerë të fushës, me synim rritjen e efikasitetit të luftës antikorrupsion si dhe për përmirësimin e perceptimit për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

“Shoqëria civile, institucionet pavarura dhe në mënyrë të veçantë publiku, kanë qenë dhe do të jenë aleatët e qeverisë në këtë luftë”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, reformat shumë të rëndësishme që janë në proces, si Reforma në Drejtësi, reforma e derregullimit, reforma për qeverisjen elektronike, reforma e shërbimeve, përbëjnë një parakusht shumë të rëndësishëm për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit.

Por nga ana tjetër pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e publikut, është një nga elementët kyç, që ndikon në efikasitetin dhe suksesin e kësaj sfide jetike për shtetin.

Ministrja ka dhënë garanci se do të vazhdohet në këtë rrugë, duke shtuar masat që i takojnë Qeverisë, për të forcuar sistemin, për të rritur kontrollin mbi administratën publike dhe për të evidentuar e dërguar para drejtësisë të gjithë ata që do të shfrytëzojnë detyrën për të bërë korrupsion.

“Jemi të vendosur që lufta ndaj korrupsionit të jetë një nga kryefjalët e këtij mandati, kjo në shërbim dhe vetëm në shërbim të qytetarëve, por edhe në shërbim të suksesit të çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha znj. Gjonaj.

Forumi u organizua në bashkëpunim me Projektin e binjakëzimit Kundër Korrupsionit, një partneritet ndërmjet Austrisë, Gjermanisë dhe Shqipërisë, i financuar nga Bashkimi Europian.