Postuar më: 13 Nëntor 2017

Nënshkruhet memorandum mirëkuptimi

Në një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Drejtësisë më datë 13 Nëntor 2017 Ministrja e Drejtësië Znj. Etilda Gjonaj së bashku me Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Ambasadori Z. Bernd Borchardt dhe Koordinatori Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm Z. Agron Sojati, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për zbatimin e projektit "Parandalimi dhe luftimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm që çojnë në terrorizëm (VERLT) në burgje dhe në shërbimin e provës (Faza I)".

Faza e parë e projektit do të zhvillohet nga tetori 2017 deri në korrik 2018 dhe prej saj do të përfitojnë partnerët kryesorë të projektit -- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës në Ministrinë e Drejtësisë. Përfitues të tjerë të projektit përfshijnë policinë, gjykatësit, prokurorët, personelin e burgjeve, nëpunësit e shërbimit të provës, politikëbërësit dhe profesionistët e përfshirë në rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Ky projekt do të shërbejë për të mbështetur Shqipërinë në krijimin e një themeli të fortë për ndërhyrje efektive dhe të bazuara në të drejtat e njeriut që synojnë parandalimin dhe luftimin e VERLT në burgje dhe në shërbimin e provës në Shqipëri. Projekti do të përqendrohet në tri komponentë kryesorë të ndërlidhur, duke përfshirë vlerësimin e nevojave, trajnimin e stafit dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit, si dhe ndarjen e praktikave të mira mes autoriteteve shqiptare dhe homologëve ndërkombëtarë dhe rajonalë, si dhe do të plotësojë dhe intensifikojë përpjekjet aktuale të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në mbështetje të Qeverisë Shqiptare në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizimit të dhunshëm që çojnë në terrorizëm (VERLT).

Memorandumi ka për synim lehtësimin e bashkëpunimit, mbështetjes dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes institucioneve nënshkruese në kuadrin e zbatimit të projektit.Projekti është i financuar nga Kryesia Austriake e OSBE-së, Mbretëria e Suedisë dhe Republika Federale e Gjermanisë.