Postuar më: 08 Tetor 2017

NJOFTIM PËR SHTYP

Ministri i Drejtësisë, në datën 5 Tetor 2016, menjëherë me marrjen dijeni të ngjarjes së denoncuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit lidhur me ushtrimin e dhunës ndaj të dënuarit V.G, në seksionin e sigurisë së lartë në IEVP Peqin, dërgoi në vendngjarje dy grupe për hetimin dhe inspektimin e rastit.

Grupet e hetimit të ngritura me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, ai i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe grupit të inspektimit, kanë kryer veprime hetimore si dhe inspektimin e veprimeve administrative të stafit policor dhe atij civil të IEVP Peqin.

Pas marrjes së kallzimit të të dëuarit V.G lidhur me pretendimin, grupi i hetimit të SHKBB-së ka kryer një sërë veprimesh hetimore paraprake të cilat së bashku me provat e mbledhura i janë përcjellë më pas Prokurorit të Rrethit gjyqësor Elbasan.

Nga të dhënat paraprake të verifikimit, rezulton se punonjësit e policisë së Forcave operacionale A.I, D.P dhe A.A kanë hyrë në qelinë e V.G pavarësisht se nuk kanë patur urdhër për kryerjen e kontrollit. Pas njoftimit të prokurorit nga grupi i hetimit të SHKBB-së të Ministrisë së Drejtësisë, është rregjistruar kallzimi penal dhe është rregjistruar procedimi penal në ngarkim të tre punonjësve të policisë A.I, D.P dhe A.A të cilët dyshohen se janë pëfshirë në ushtrimin e dhunës ndaj të dëuarit V.G.

Pas përfundimit të hetimit nga grupet e Ministrisë së Drejtësisë, në datën 7.10.2017, janë shkarkuar nga detyra, A. Ismaili, D.Piku, A.Alliu, të tre punonjës policie të rolit bazë në Sektorin e Forcave operacionale në Drejtorinë e Policisë së burgjeve.

Nga verifikimet e bëra, po sot është shkarkuar nga detyra dhe K/Komisari A.Hitaj, me detyrë Shef policie, me motivacionin si i papërshtatshëm për të punuar në policinë e burgjeve, për shkak të dënimit të tij me vendim gjykate në vitin 2015 për veprën penale shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nisur nga ngjarja e ndodhur në IEVP Peqin, ka filluar ecuria disiplinore për shkak të shkeljeve të procedurave operacionale dhe administrative si dhe për mosraportim të ngjarjes, në ngarkim të 12 punonjsve në total, 4 punonjës të IEVP Peqin, ndër të cilët 3 punonjës policie dhe 1 staf civil si dhe për 8 punonjës policie të Forcave operacionale të Drejtorisë së Policisë së burgjeve.

Fillimi i procedimit disiplinor ka filluar edhe ndaj Drejtorit të IEVP-së Peqin, për të cilën do të merren masat sipas parashikimeve ligjore lidhur me ngjarjen.

Ministria e Drejtësisë, duke u distancuar nga ngjarje të tilla, siguron opinionin publik se nuk do të tolerohet asnjë rast dhune apo keqtrajtimi ndaj personave që ndodhen në burgje apo paraburgime duke vendosur përpara përgjegjësisë penale apo administrative cdo punonjës në sistemin e burgjeve.

Reforma në burgje ka filluar, dhe nuk do të lejojmë asnjë punonjës në stafin policor të burgjeve, të cilët janë me precedentë penale si dhe shkelin të drejtat e njeriut të jetë pjesë e sistemit të burgjeve.

Ministria e Drejtësisë shpreh angazhimin e saj maksimal duke inkurajuar të gjithë organizatat jofitimprurëse të bashkëpunojnë në këtë nismë të ndërmarrë nga qeveria shqiptare me qëllim reformimin e sistemit penitenciar, për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të punonjësve që shërbejnë në sistemin e burgjeve dhe për ndëshkimin e cdo rasti abuzimi dhe dhune.