Postuar më: 12 Maj 2018

Regjistrimi i titujve të pronësisë në tokat bujqësore deri në mesin e 2019

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, në kuadër të turit të llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”, ka zhvilluar bashkëbisedime me banorët e njësive administrative Katund i Ri dhe Sukth në qarkun e Durrësit.

Ministrja së bashku me deputetët e zonës Milva Ikonomi dhe Rolant Xhelilaj ka dhënë llogari për çfarë është bërë në drejtim të urbanizimit të këtyre zonave me shumë problematika të trashëguara për 25 vjet rresht, duke investuar në infrastrukturën rrugore, në shkollat dhe qendrat shëndetësore. Përfaqësuesit e qeverisë u dhanë banorëve lajmin e mirë të miratimit të projektit dhe financimit për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit për fshatrat Jubë, Katund i Ri, Qerret, Erzen, Bisht Kamëz dhe Rinia.

Reforma në Drejtësi, Vettingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve ishte gjithashtu pjesë e informimit të qytetarëve, reformë e cila na dha Rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në.

Diskutim i rëndësishëm ishte edhe ai për çështjet e pronësisë, që në këto dy njësi administrative janë nga problemet më të mprehta. Ministrja Gjonaj i siguroi banorët se çështja e pronave është çështje prioritare dhe me reformën që Qeveria ka ndërmarrë do t’i gjendet zgjidhje ligjore problemeve të titujve të pronësisë, pasi është një problem i mbartur kompleks për gjatë 25 viteve.

“Objektivi i Qeverisë deri në mesin e vitit 2019 është regjistrimi i titujve të pronësisë që kanë të bëjnë pikërisht me tokën bujqësore si dhe trajtimi në mënyrë të integruar i titujve të pronësisë nëpërmjet agjencisë së re”, është shprehur ministrja e Drejtësisë.

Së bashku me deputetët e zonës, ministrja Gjonaj i ka inkurajuar banorët e Katundit të Ri dhe Sukthit të bëhen pjesë e bashkëqeverisjes duke ju drejtuar platformës  Shqiperiaqeduam.al dhe i ka siguruar se takimet me ta do të vijojnë edhe në të ardhmen si pjesë e devizës së qeverisë për të bashkëqeverisur me njerëzit e zakonshëm dhe për të qenë pranë problemeve e shqetësimeve të tyre.

Ministrja i ka garantuar banorët se ankesat e tyre mundësojnë, jo vetëm zgjidhjen e ankesave të tyre, por njëkohësisht dhe largimin nga administrata të atyre punonjësve, të cilët abuzojnë me ligjin, me detyrën dhe që kërkojnë ryshfet në këmbim të shërbimit që duhet t’i ofrohet qytetarit.