Postuar më: 06 Dhjetor 2017

RIVENDOSJA E KONTAKTEVE ME PERSONAT E HUMBUR, FIRMOSET MEMORANDUMI I MIRËKUPTIMIT

Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shtetit për Diasporën dhe Kryqi i Kuq Shqiptar nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit me qëllim bashkëpunimin ndërinstitucionalë për të ndihmuar familjet që ndahen dhe humbin kontaktet me anëtarët e vet si rrjedhojë e migrimit apo situatave të tjera që kërkojnë ndërhyrje humanitare.

Në fjalën e saj, Ministrja Gjonaj tha se në fokus të vëmendjes së Ministrisë së Drejtësisë është jo vetëm respektimi i të drejave dhe lirive themelore të të burgosurve brenda territorit të vendit, por edhe vendosja e urave të komunikimit, dhe ofrimi i mundësive për ata të dënuar apo të paraburgosur që ndodhen në vendet e tjera europiane të rilidhen me të afërmit e tyre.

Më poshtë fjala e plotë e Ministres së Drejtësisë

Kënaqësi të jem me ju në këtë ditë në vazhdën e disa aktiviteteteve me fokus familjen.

Pas hapjes së Klinikës Ligjore, Zyrës së Koordinimit të Dhunës në Familje, miratimit në kuvend të Rezolutës kundër Dhunës në Familje, sot firmosim këtë Memorandum Mirëkuptimi, që në thelb ka forcimin e bërthamës së familjes, lidhjen e marrëdhënieve të shkëputura diku, rivendosjen e urave të komunikimit mes njerëzve.

Të gjitha nismat që ka ndërmarrë dhe po ndërmerr qeveria shqiptare kanë një emërues të përbashkët “Me qytetarin, dhe për qytetarin”.

Ministria e Drejtësisë shpreh vullnetin e saj institucional si dhe mbetet e angazhuar maksimalisht në nismën e re, të ndërmarrë bashkarisht me Ministrinë e Shtetit për Diasporën dhe Kryqin e Kuq për t’iu ardhur në ndihmë familjeve me qëllim rivendosjen e kontakteve me të afërmit e tyre dhe për atë kategori individësh të cilët mund të ndodhen në burgje në vendet e tjera europiane, apo vendit tonë.

Përmes një bashkëpunimi të tillë synojmë të nxisim shkëmbimin e informacioneve për të shëruar çdo ditë nga pak ato plagë që jo vetëm migrimi ndër vite i ka shkaktuar familjeve shqiptare.

Ndihma jonë si ministri do të jetë e pakursyer për të ribashkuar familjarët, sidomos me ato persona që ndodhen në burgjet e vendeve të tjera.

Ndërmorëm dhe po zbatojmë reformën në drejtësi, një reformë e cila në qendër ka në fokus qytetarin. Kemi ndërmarrë reformën në sistemin penitenciar që ka për qëllim shndërrimin nga institucion i vuajtjes së dënimit, në institucion rehabilitimi, një institucion riedukues, ku i dënuari me ndihmën e një stafi profesional, të përgatitur, në ambiente me standarde europiane, dhe kushte të mira të jetë gati për t`iu rikthyer përsëri shoqërisë.

Kjo nismë që po merr jetë sot, pasqyron më së mirë përgjegjësinë e qeverisë për qytetarët. Ne sot po kujdesemi jo vetëm për të drejat dhe liritë themelore të të burgosurve brenda territorit të vendit, por po vendosim ura komunikimi dhe po ofrojmë mundësi edhe për ata të dënuar apo të paraburgosur që ndodhen në vendet e tjera europiane.

Ministria e Drejtësisë ka bashkëveprim dhe bashkëpunim ndërgjyqësor me vende të ndryshme të rajonit, ashtu si dhe dhe vendet europiane, njëkohësisht është palë e konventave te Këshillit të Europës dhe Kombeve të Bashkuara, të cilat janë reflektuar dhe në legjislacionin  e brendshëm dhe ndjek dhe zbaton detyrimet që rrjedhin nga këto konventa apo protokolle shtesë.

Ky memorandum është shembulli konkret i bashkëpunimit të gjithëanshëm për t`i dhënë zgjidhje dhe shpresë, për t`i bërë vuajtjet më të lehta, për t`i sjellë njerëzit më afër, aty ku kanalet normale të komunikimit janë shkëputur.

Duke e mbyllur këtë fjalë të shkurtër, dua të inkurajoj çdo institucion, çdo organizatë qeveritare dhe jo qeveritare, të ndërmarrë nisma të tilla që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe të drejtat e tij themelore. Ju garantoj se dera e Ministrisë së Drejtësisë do të jetë gjithmonë e hapur dhe do të ketë në fokus qytetarin.

Ju faleminderit