Postuar më: 16 Mars 2017

Shqyrtohet në Komision të Ligjeve projektligji i ri për organizimin e MD

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili, ishte i pranishëm sot në Komisionin e Ligjeve, gjatë një seance ku u diskutua nen për nen projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar.

Në qëndrimin e tij Ministri Vasili fillimisht është ndalur në projektligjin për Shërbimin Statistikor të Unifikuar.  

“Heqja e një kompetence të tillë është një qëndrim për mendimin tonë jo i argumentuar për një arsye të thjeshtë; statistikat në fushën e drejtësisë nuk kanë lidhje vetë me vendimet gjyqësore, pasi ka një përkujdesje që meqenëse edhe mjaft çështje i kalojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe kjo çështje ezaurohet atje për një arsye shumë të thjeshtë, pasi vjetari statistikor përmban të dhëna të shërbimit përmbarimor privat e publik, të shërbimit penitenciar, të shërbimit të provës, të birësimit, ndihmës juridike, prokurorisë e të gjykatave”, tha Ministri Vasili, ndërsa shtoi se “Bëhet fjalë për një shërbim statistikor me mjaft indikatorë, të cilët e bëjnë të domosdoshme që këtë punë ta prijë e ta udhëheqë në mënyrë të natyrshme Ministria e Drejtësisë sot dhe në të ardhmen, pasi në këtë mënyrë mund të hartohen të gjithë ata indikatorë, me të cilët do të orientohen më së miri edhe politikat penale në vend, atribut që edhe në reformën e re të sistemit të drejtësisë i është lënë përsëri Ministrisë së Drejtësisë”. Ndaj, sipas tij, Ministria e Drejtësisë propozon riformulim të ri, duke mbetur në qëndrimin drejt rolit të sistemit unitar për këtë çështje të Ministrisë së Drejtësisë.

Në fjalën e tij, z. Vasili u ndal tek një pikë tjetër e rëndësishme në projektligj, ku duhet të rregullohet në mënyrë të qartë e të drejtpërdrejtë marrëdhënia midis Ministrit të Drejtësisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në ushtrimin e inspektimit dhe kontrollit të gjyqësorit dhe Prokurorisë.

“Është e qartë që me reformën në drejtësi është krijuar institucioni i Inspektorit të Drejtësisë dhe kjo është një gjë e veçantë që reforma ka realizuar. Por një nga problemet kryesore është administrimi i asaj, ankesat dhe problemet e mëdha që ka publiku”, nënvizoi z. Vasili, duke theksuar se “Ministria e Drejtësisë sugjeron që duhet patjetër dhe do të ishte e dobishme që në të gjithë ankesat që i vijnë të kryente një hetim paraprak administrativ, së bashku me palët ankuese ku të krijohet vërtet besueshmëria që ankesa ka bazë për të ecur më lart dhe për të filtruar sigurisht një seri ankesash, të cilat mund të kenë doza të larta subjektizmi dhe paqartësie, që nuk do të ishin objekt i shqyrtimit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe sigurisht, përveçse do të ishin një mbingarkim i jashtëzakonshëm, do të ulnin shumë cilësinë dhe do të ishte një pamundësi objektive që ato të shqyrtoheshin në kohë. Kjo do të bënte që institucionet e reja të krijuara në kuadër të reformës në drejtësi, të prodhonin vonesa të reja, të prodhonin vlerësime të reja të përcipta apo dhe vlerësime qartësisht të vonuara, ndaj duke ruajtur të gjitha të drejtat që ligji parashikon dhe që trajtohen nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, kjo krehje paraprake, në kuptimin e mirë të fjalës, nuk është një privilegj, favor apo atribut shtesë që i bëhet Ministrisë së Drejtësisë, por një mundësi plus që i jepet kualitetit të trajtimit të ankesës të publikut dhe qytetarit. Sikurse e dimë, ankesat janë jashtëzakonisht të shumta dhe të shumëllojshme, por ka dhe shumë prej tyre që nuk janë objekt i ankimimit konkret për një çështje të caktuar”.

Duke theksuar se kjo është një metaforë as provokative e as agresive, Ministri Vasili vuri në dukje se “Ministria e Drejtësisë nuk mund të bëjë thjesht një kuti poste që merr ankime dhe pa bërë asnjë lloj procesi i përcjell te Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pasi thënë e gjithë kjo nuk ishte fare e nevojshme të kishte një institucion si Ministria e Drejtësisë, por të gjitha këto mund të shkonin, të përfundonin atje. Por sigurisht, kaosi dhe vonesa do të ishin jo vetëm të pashmangshme, por do të riciklonin atë negativitet që reforma në drejtësi ka bërë të pamundur t’i kthejë përgjigje”.

Për këtë është përgatitur një propozim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, për t`u përfshirë si riformulim i dy dispozitave aktuale, 9 dhe 10 të nenit 6, të ligjit aktual, që në projektligj (neni 4) propozohen të shfuqizohen tërësisht.

Një tjetër çështje ku u ndal Ministri i Drejtësisë ishte problemi që lidhet me kompetencat për profesionet e lira.

“Ka një përcaktim në draftin që ka ardhur, i cili flet për këto duke përdorur përcaktorin që MD i mbikëqyr dhe kujdeset. Sigurisht që është një përcaktor i pamjaftueshëm, pasi do të duhej në mënyrë të qartë të përcaktohej që MD këto profesione jo vetëm i monitoron, por edhe i kontrollon, pasi është institucioni që i licencon ato dhe besoj që një riformulim duke ndarë raportin ku ajo kujdeset për mirëfunksionim e tyre, siç është p.sh çështja e avokatisë është në mënyrë të drejtë, ndërsa për të tjerët duhen përcaktuar funksioni i kontrollit tyre dhe i monitorimit të tyre, pasi institucioni i cili licencon ka të drejtën dhe detyrën që këto shërbime publike që ofrohen, të kontrollohen e monitorohen”.

Gjithashtu, sipas z. Vasili, ky kontroll i fortë që duhet mbajtur mbi këto profesione, siguron dhe mundësinë e funksionimit efikas, eviton dhe çdo lloj abuziviteti me to, mundëson dhe mbajtjen e qëndrimeve të shpejta e të menjëhershme.

Ministri Vasili foli edhe lidhur me dispozitat tranzitore.

“Duhet një saktësi, lidhur me ata prokurorë që sot punojnë me MD, ku raporti i tyre dhe një riformulim që ne kemi propozuar, e qartëson këtë pozicion të tyre, pasi nuk bëhet fjalë sikurse magjistratët që mund të rekrutohen me kohë të pjesshme në MD dhe rregullohet kjo me ligj, po bëhet fjalë për prokurorë që janë tashmë në detyrë dhe qoftë procesi i rivlerësimit, qoftë mënyra si ata do të konsiderohen si magjistratë të tjerë, duhen të përcaktohen me ligj, pasi është një rrethanë e re e tyre, në raport me ata që mund të bëhen pjesë e MD për një kohë të kufizuar”

Ministri i Drejtësisë u ndal edhe tek problemi i rekomandimeve që jepen për Prokurorinë e Përgjithshme dhe që janë detyrim sipas draftit, edhe ligjeve përkatëse të reformës në drejtësi.

 “Duhet përcaktuar në ligj, në mënyrë të padiskutueshme, mekanizmi se me çfarë periodiciteti mblidhen këto të dhëna nga MD për të hartuar raportin, duhet të përcaktohet mënyra se si ndiqet zbatimi i rekomandimeve dhe duhet të përcaktohet se me cilin nga institucionet përkatëse. Nuk mundet dhe nuk duhet të dualizojë atë raport që Prokuroria e Përgjithshme ka me Kuvendin e Shqipërisë në raportimet vjetore që ajo bën, pra mundëson në mëyrë të drejtpërdrejtë të kryejë detyrimin që ka në dokumentin e reformës në drejtësi, por dhe të kryejë në mënyrë të qartë dhe institucionale që ajo është e detyruar të bashkëpunojë, në këtë rast me Prokurorinë e Përgjithshme. Ta kenë të qartë cili është detyrimi i bashkëpunimit që kanë në këtë fushë dhe çfarë ndodh me materialin që prodhohet prej tyre në mënyrë reciproke, në mënyrë që ky material të ndihmojë konkretisht, të drejtpërdrejtë dhe orientimin e politikave penale në Shqipëri, që është atribut që i është lënë Qeverisë Shqiptare”, tha Ministri Vasili

Problem tjetër mbi të cilin u ndal Ministri Vasili ishte ai lidhur me sistemet elektronike, ICMIS dhe sistemin e regjistrimit audio, tashmë të njohura në Kodin e Procedurës Civile, por dhe projektin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, sipas ligjeve të miratuara, kalojnë në administrim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Z. Vasili bëri të ditur se “Ministria e Drejtësisë propozon që të ketë të drejtën e aksesit të nivelit vizitor për to. Administrimi është tjetër gjë. Mundëson përpilimin e një ankesë të bazuar në prova, të qartë, që e bën procesin më objektiv, por njëkohësisht edhe eviton qëndrimet e dualizuara, por dhe subjektivizmat që mund të verifikohen në rrugë e sipër në trajtimin e ankesave”, tha z. Vasili   

Kjo dispozitë, sipas Ministrit të Drejtësisë është e nevojshme, pasi në këtë mënyrë do të mundet që Ministri i Drejtësisë, të kryejë një filtrim të kërkesave që vijnë pranë institucionit me qëllim që t`i kërkojë ose jo kryerjen e një inspektimi të thelluar Inspektorit të Përgjithshëm.