Postuar më: 01 Prill 2017

Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve, permbyllet projekti i binjakëzimit me BE-në

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili, ishte i pranishëm sot në ceremoninë e përfundimit të projektit të binjakëzimit me Bashkimit Evropian, “Mbështetje për Zhvillimin e Zgjidhjeve Alternative të Mosmarrëveshjeve në Shqipëri”.

Në fjalën e tij, z. Vasili theksoi rëndësinë e këtij projekti me BE, i cili në 18 muaj të zbatimit të tij ka sjellë ekspertizën më të mirë çeke dhe finlandeze në fushën e ndërmjetësimit.

Duke e konsideruar moment të veçantë përfundimin e këtij projekti, Ministri i Drejtësisë e vlerësoi procesin e ndërmjetësimit, duke theksuar se është një mënyrë zgjidhje e cila natyrshëm shpejton kohën e zgjidhjes së konflikteve, si dhe ul ngarkesën fiktive të gjykatave tona, të cilat janë mjaft të mbingarkuara me çështje të shumta.  

Duke vijuar më tej, z. Vasili u ndal tek mbigarkesa me çështje të shumta në gjykata, ç’ka sipas tij sjell dhe vonesa në trajtimin e tyre, si rrjedhojë mërzi e zemërim tek qytetarët.

“Kujtojmë që sistemi gjyqësor vuan nga një mbingarkesë e cila sjell natyrshëm edhe vonesa, të cilat mund të krijojnë dhe mërzi e zemërim, që është objektiv në njërën anë, sepse qytetarët kërkojnë të jenë sa më parë me drejtësi. Çdo lloj instrumenti legal, i shëndetshëm, i cili e çliron sistemin nga të tilla ngarkesa të panevojshme dhe fiktive, pra të zgjidhshme në rrugë të tjera, sigurisht është ngjarje pozitive edhe për sistemin gjyqësor në tërësi, por edhe një investim i rëndësishëm edhe në metalitetin tonë kombëtar në veçanti, pasi njëherazi me çështjen ne promovojmë, kultivojmë fort një kulturë të re, atë të zgjidhjes së çështjeve nëpërmjet bashkëbisedimit, ndërmjetësimit”, tha z. Vasili,

Ministri i Drejtësisë vuri në dukje se çdo rrugë që ndihmon të zgjidhë çështjet sa më parë është e mirëpritur.

“Ky mentalitet që na largon gjithnjë e më shumë nga përplasja e fortë, veç rasteve kur është e paevitueshme dhe i drejtohet gjykatës si institucioni i vetëm që jep drejtësi, pra çdo rrugë tjetër që na ndihmon ta zgjidhim më parë këtë punë sigurisht është e mirëpritur. Është pozitive që janë përdorur dy mundësi reale, qoftë eksperienca finlandeze dhe çeke, të cilat kanë qenë eksperinca të avangardës në ndërmjetësim, pra është marrë nga më të mirat dhe sigurisht është vendi të falenderojmë ambasadorët, pasi mbështetja e plotë qoftë në planin e ekpertizës dhe qoftë në lehtësirat e tjera dhe pjesëmarra aktive e tyre, ka qenë faktor pozitiv në ecjen mirë të procesit të projektit, që mund të definohet pa asnjë hezitim një projekt suksesi”, tha Ministri i Drejtësisë.

Z. Vasili vlerësoi gjithashtu numrin e lartë të të trajnuarve gjatë këtij projekti, por edhe shtrirjen e tij, duke theksuar se edhe numri i të trajnuarve dhe kapilariteti që është synuar t’i jepet fenomenit, pra për ta shpërndarë në territor, krijojnë dhe vënë para nesh sfidën për t’a kapilarizuar gjithnjë e më shumë shërbimin, pra për ta shtrirë gjithnjë e më tej. 

Gjatë zbatimit të projektit, ndër të tjera janë trajnuar në total rreth 167 gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe punonjës të shërbimit të provës dhe grupe të tjera interesi, mbi ndërmjetësimin.