Ndryshime thelbësore në politikën penale

I/E nderuar kontribues,

Pas shumë konsultimesh që bëmë me Prokurorë, Gjyqtarë, Avokatë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, vërtetuam një shqetësim të kahershëm që ekzistonte në Ministrinë e Drejtësisë, atë të një drejtësie penale jo eficente.

Prej kohësh, ministrat e drejtësisë kanë konstatuar se në sistemin tonë penitenciar gjenden më shumë të paraburgosur sesa të dënuar. Nga ana tjetër, përdorimi i masës së sigurisë “arrest me burg” është një masë shtrënguese shumë e përdorur, pavarësisht masave të tjera alternative që legjislacioni penal parashikon.

Shoqëria civile dhe institucionet që monitorojnë zbatimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kanë bërë gjithnjë konstatime negative në lidhje me këtë gjendje. Drejtësia penale është më e prekshmja për sytë e opinionit publik, e për pasojë çdo raport konstatues merr edhe vëmendje të lartë.

Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të Prokurorisë dhe të Policisë së Shtetit kanë konstatuar se legjislacioni ynë procedural penal lejon aplikimin e dy dhe më shumë standardeve në vendosjen e masave të sigurisë në procesin penal.

Neni 27 i Kushtetutës përcakton termin “dyshim i arsyeshëm”, por Kodi i Procedurës Penale nuk e specifikon se çfarë do të thotë ky term në kushte konkrete. Mos detajimi i kësaj terminologjie bën të mundur përdorimin abuziv të masave të sigurimit ndaj personave të dyshuar për kryerjen e një vepre penale.

Kemi vlerësuar se duhet ta përkufizojmë dhe zbërthejmë mirë se çdo të thotë dyshim i arsyeshëm. Kjo nismë propozimesh sipas nesh përbën një transformim të madh të ndjekjes penale, sepse godet përfundimisht kulturën e abuzimit dhe të zbatimit selektiv, të interpretimit të gjerë dhe “sipas dëshirës” të ligjit, duke e vendosur atë në shina parimore dhe të barabarta për të gjithë.

Nga ana tjetër, ky transformim vendos në pozita të forta përgjegjshmërie prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, sepse tashmë këto ndryshime që ne propozojmë, kërkojnë saktësi hetimore dhe përgjegjshmëri të lartë në ushtrimin e ndjekjes penale.

Ndryshimet që propozojmë synojnë gjithashtu të vendosin Gjykatën e Lartë realisht në rolin e saj unifikues dhe drejtues të praktikës gjyqësore dhe jo si gjykatë e shkallës së tretë. Ky është një propozim gjithashtu me natyrë transformuese, sepse pritet të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si administrohet dhënia e drejtësisë penale në gjykata.

Përveç ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, propozojmë gjithashtu edhe disa ndërhyrje saktësuese në Kodin Penal në lidhje me:

-Rregullimin e disa dispozitave me qëllim përmirësimin e trajtimit të të miturve nga sistemi i drejtësisë penale;

-Zgjerimin e rasteve të aplikimit të masave alternative të vuajtjes së dënimit dhe orientimin drejt aplikimit të masës së arrestit me burg dhe dënimit me burgim, si masa të fundit;

-Rritjen e efikasitetit të luftës kundër kultivimit, trafikimit, tregtimit të bimëve dhe lëndëve narkotike, uljen e ofertës së drogës, dhe parashikimin e dënimeve proporcionale lidhur me sasinë e llojin e tyre;

-Rishikimin e veprave penale në fushën e shëndetësisë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe mirëfunksionimin e sistemit.

Do ndiheshim të vlerësuar nëse ju do të harxhonit pak kohë për të na dhënë një mendim, kritikë apo përmirësim në lidhje më këtë paketë ligjore.

Mirëpresim komente dhe sugjerime në adresën: konsultime@drejtesia.gov.al

 

Per tu konsultuar me materialin, lutem klikoni mbi emrin e dokumentit:

P R O J E K T L I G J
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 7895, DATË 27.1.1995, “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR


P R O J E K T L I G J
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 7905, DATË 21.03.1995, ‘KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË’, I NDRYSHUAR