» Konferencë mbi forcimin e kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për të mitur
Postuar më: 10/07/2018

Konferencë mbi forcimin e kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për të mitur

 

Ndërgjegjësimi i të gjitha institucioneve shtetërore, por edhe shoqërisë civile mbi detyrimet që kanë në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti, ka qenë objekt i konferencës me temë “Forcimi i kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për të mitur – Qasja e integruar”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Në konferencën e organizuar në një nga qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës, merrnin pjesë Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin, zv.Ministrja e Brendshme, Romina Kuko dhe përfaqësuesi i UNICEF në Tiranë, Jawad Aslam.

Gjithashtu ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, të Shkollës së Magjistraturës, Akademisë së Sigurisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimit të Provës, Urdhrit të Psikologut, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit, Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Shërbimit Social Shtetëror, strukturat e arsimit, shoqërisë civile dhe fëmijë.
Duke marrë fjalën në këtë konferencë, ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj tha: “Drejtësia për të miturit është pjesë e rëndësishme e reformës unike dhe radikale që kemi ndërmarrë në sistemin e drejtësisë. Tashmë slogani i kësaj drejtësie të re është drejtësi miqësore për të gjithë të miturit në kontakt me ligjin, qofshin ata autorë, viktima apo dëshmitare”

Sipas ministres Gjonaj “Qasja e drejtësisë rehabilituese për të miturit, është pikërisht rehabilitimi i të miturve në komunitet dhe për këtë qëllim:

• Ndërhyrja duhet të jetë ndërsektoriale dhe me angazhim të të gjitha institucioneve përkatëse;
• Do të restaurojmë zinxhirin mbrojtës për të miturin, duke përfshirë në proces të gjitha hallkat duke filluar me institucionet e sistemit gjyqësor dhe duke vijuar me institucionet e shërbimeve sociale në nivel vendor;
• Do të aplikojmë për herë të parë programet e drejtësisë restauruese me fokus të veçantë ndërmjetësimin, këshillimin dhe edukimin;
• Kemi nisur tashmë në bashkëpunim me partnerët dhe institucionet përgjegjëse trajnimin e profesionistëve të drejtësisë për të mitur, ku numërohen rreth 500 gjyqtarë e prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, avokatë, punonjës shërbimi, ndërmjetës.
• Gjithashtu, në këtë nismë të madhe po tentojmë që të ngremë zinxhirin e Qendrave Multidisiplinare në bashkëpunim me pushtetin vendor”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj ka theksuar: “Që të ketë më pak raste të fëmijëve në konflikt me ligjin duhet të bashkojmë përpjekjet për të forcuar mekanizmin e parandalimit dhe trajtimit të fëmijëve në situatë rreziku. 223 punonjës të mbrojtjes së fëmijëve punojnë çdo ditë në terren jo vetëm për evidentimin e fëmijëve në situatë rreziku, por për një trajtim të plotë, të integruar, me plane individuale për secilin prej tyre. A janë mjaftueshëm? Sigurisht që jo. Do duhet të bëhet më shumë nga disa bashki, për të patur punonjës të dedikuar por edhe të mirëtrajnuar për mbrojtjen e të miturve”.
Nga ana e saj ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin është ndalur në nevojën për edukim ligjor të fëmijëve dhe rehabilitimin e tyre kur bien në kontakt me ligjin.

“Fëmijët e përfshirë në aktivitete kriminale janë vetë viktima. Është koha për të kaluar nga një qasje ndëshkuese në qasje restauruese dhe të fokusohemi në ri-integrimin e tyre në shoqëri. Fëmijët e përfshirë në aktivitete kriminale duhet të pengohen që t’i rikthehen krimit, ” tha Ambasadorja Vlahutin

Zëvendësministrja e Brendshme, znj. Romina Kuko duke marrë fjalën në konferencë u shpreh: “Të drejtat e fëmijëve janë në fokusin e Ministrisë së Brendshme jo vetëm për të zbatuar detyrimet ligjore por edhe për të përmirësuar në mënyrë të ndjeshme situatën e të miturve në kontakt me policinë. Masa konkrete të Policisë së Shtetit në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur janë përmirësimi i kurrikulave të trajnimit për formimin e punonjësve të Policisë dhe trajnimi i punonjësve të Policisë në lidhje me programet specifike të trajnimit”.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Zëvendës Përfaqësues i UNICEF, Jawad Aslam përgëzoi përpjekjet e qeverisë, për hartimin e Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit. “Tani vendi ka një Strategji për Drejtësinë për të Miturit dhe ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për të trajtuar çështjet e drejtësisë për fëmijët. Po punohet, për ndërtimin e një sistemi inovativ i të dhënave online, që do të gjurmojë rastet e fëmijëve viktima, dëshmitarë apo dhe shkelës të ligjit. Megjithë arritjet e bëra deri tani, vendi duhet të konsolidojë akoma më shumë reformën në drejtësi për të miturit dhe t’a bëjë atë të funksionojnë, jo vetëm për shkelësit e ligjit, por edhe për fëmijët viktima dhe dëshmitarë të krimit. Reforma, duhet t’u shërbejë edhe fëmijëve që kërkojnë rrugë-zgjidhje juridike nga sistemi drejtësisë, përveç drejtësisë penale”.

Konferenca u zhvillua në 3 panele, ku pas panelit përshëndetës, drejtuesit e institucioneve shtetërore, strukturat e shërbimeve sociale dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile vijuan më diskutime lidhur me ngritjen e kapaciteteve të shërbimeve sociale në trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin, zbatimin e programeve pranë qendrave sociale, nevojën në përsosjen e bashkëpunimit për një drejtësi miqësore për të miturit, forcimin e rolit aktiv të shoqërisë civile dhe qasjen përfshirëse të komunitetit të fëmijëve dhe prindërve.

 

Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj në konferencën me temë “Forcimi i kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për të mitur – Qasja e integruar”