» Ministria e Drejtësisë i kërkon KLD të nisë me urgjencë inspektimin për gjyqtaren Herila Çela
Postuar më: 08/08/2018

Ministria e Drejtësisë i kërkon KLD të nisë me urgjencë inspektimin për gjyqtaren Herila Çela

 

Deklaratë për shtyp e zëvendësministrit të Ministrisë së Drejtësisë, z.Toni Gogu

 

Sistemi i drejtësisë, këmbëngul të japë vendime qartazi të paligjshme që vijojnë të provojnë kalbëzimin e tij dhe drejtesinë e reformës, që po zbatojmë përmes Vetingut, e jo vetëm.

Gjyqtarja Herila Çela, duke mbyllur sytë para fakteve e provave kuptimplota, ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, për një shtetas, i cili është kapur nga policia e Vlorës duke udhëtuar i armatosur, edhe pse ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi.

Ky shkelës i ligjit, 2 herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin – gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë.

Sot, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtëisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares lidhur me rastin. Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave në përpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares.

Raste të tilla nuk janë as të reja e as befasuese, por sidoqoftë ato shkaktojnë revoltë dhe neveri, në kushtet kur Shqipëria po reformon rrënjësisht këtë drejtësi të kapur e të kalbur.

Procesi i Vetingut, i cili po zbulon në sytë e shqiptarëve pasuri të paimagjinueshme dhe shkelje ligjore të panumërta nga ana e gjyqtarëve e prokurorëve, mund e duhet ta pastrojë deri në fund llumin e mbështjellë me togën e zezë.

Prandaj Qeveria do të vazhdojë të mbështesë pa asnjë rezervë organet e reja të kontrollit të ecin me shpejtësi e në thellësi me procesin e Vetingut, duke kaluar në filtër jo vetëm pasurinë, por edhe vendimet haptazi në kundërshtim me ligjin.

Mbase gjyqtarë që kanë dhënë e vijojnë  të japin vendime të tilla si ky i fundit, mendojnë se do t’ia hedhin thjesht duke ikur nga sistemi, por jo!

Pas Vetingut është rradha e ndëshkimeve për të gjithë, sepse Vetingu nuk është thjesht pastrimi i llumit nga Pallati i Drejtësisë, po mjeti për të garantuar një sistem drejtësie që të bëjë drejtësi.

Për të gjithë e pa dallim.

Dhe ashtu siç nuk mendohej se kupola e korrupsionit në sistemin e drejtësisë do të shembej e ja ku po shembet, ashtu do të ndodhë më herët se vonë, me daljen e të pandëshkuarve të çdo lloji e niveli përpara ligjit.