Drejtësi miqësore për të miturit, nënshkruhet marrëveshja me Bashkinë e Korçës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/09/2018

Drejtësi miqësore për të miturit, nënshkruhet marrëveshja me Bashkinë e Korçës

Korça bëhet bashkia e dytë pas Tiranës, që përkrah me shumë përkushtim dhe vendosmëri nismën e Ministrisë së Drejtësisë për trajtimin miqësor të të miturve në kontakt me ligjin. Zv.Ministri i Drejtësisë Toni Gogu, ka nënshkruar me kryebashkiakun Sotiraq Filo, një marrëveshje, e cila plotëson kuadrin institucional për nisjen në praktikë të zbatimit të legjislacionit për drejtësinë për të miturit.

Sipas marrëveshjes, Bashkia e Korçë ka vënë në dispozicion të trajtimit dhe rehabilitimit të të miturve në kontakt me ligjin një qendër sociale miltidisiplinare. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimi i Provës dhe gjithë zinxhiri i institucioneve të drejtësisë që trajtojnë çështjet e të miturve në konflikt me ligjin, do të nisin punën për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin në kuadër të një drejtësie miqësore për ta.

“Kur një i mitur bie në kontakt me ligjin e gjithë bota e tij tronditet. Deri dje alternativat që ne kishim ishin ose rruga, ose burgu. Sot, me gjithë angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë, shoqërisë civile, të cilën gjej rastin ta falënderoj shumë, dhe shërbimeve sociale shtetërore e profesionistëve të ligjit, ne po ndërtojmë një rrjet sigurie, ku të gjithë komponentët e vuajtjes së dënimit, të mos i bëjnë më të izoluar djemtë dhe vajzat tona, të cilët për një arsye apo një tjetër në jetën e tyre ndodhen përballë ligjit. Për shkak se jeta e tyre vazhdon dhe ata duhet të rikthehen në shoqëri”, theksoi z. Gogu gjatë ceremonisë së zhvilluar në qendrën multidisilinare të bashkisë Korçë.

Pas Tiranës dhe Korçës, është radha e Durrësit, Fierit, Gjirokastrës, e më pas gjithë bashkive të tjera për t’u bërë pjesë të rrjetit të madh të drejtësisë miqësore për fëmijët.