» Fjala e Ministres Gjonaj në Konferencën e Kopenhagenit
Postuar më: 13/04/2018

Fjala e Ministres Gjonaj në Konferencën e Kopenhagenit

 

Fjala e Ministres Gjonaj në Konferencën e Kopenhagenit

Kam nderin të jem e pranishme sot me rastin e diskutimeve për reformimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Që prej anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Shqipëria ka treguar një angazhim real ndaj zbatimit të plotë dhe në kohë të vendimeve të Gjykatës Evropiane dhe i ka trajtuar problemet e brendshme strukturore nën frymën e Konventës.

Është e vërtetë se zbatimi i duhur nga shtetet të vendimeve të Gjykatës është elementi kyç i autoritetit dhe reputacionit të tij.

Megjithatë, duhet të theksohet se edhe shtetet që zbatojnë në kohë vendimet e Gjykatës – siç vepron Shqipëria – mund të gjenden në vështirësi për të zbatuar veçanërisht ato vendime, të cilat sjellin një barrë të konsiderueshme financiare.

Në këtë drejtim, ia vlen të theksohet se Gjykata duhet ta marrë parasysh këtë fakt, veçanërisht në shtetet e vogla.

Gjykata evropiane mund të trajtojë çështjet pilot që lidhen me probleme sistematike, për aq kohë sa shteti anëtar ka treguar prova se janë krijuar mekanizma që konfirmojnë ekuilibrin e duhur midis të drejtave të individit dhe interesave të komunitetit.

Për shkak të rëndësisë që qeveria i jep zbatimit të Konventës në nivel kombëtar, gjatë tre viteve të fundit Shqipëria ka ndërmarrë një rrugë të vështirë dhe kurajoze të reformës në sistemin e drejtësisë për ta sjellë në përputhje me standardet evropiane të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.

Reforma, e mbështetur ndërkombëtarisht nga partnerët tanë të çmuar, fokusohet në tre komponentë kryesorë:

  1. Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nëpërmjet procesit të “vetingut”.
  2. Krijimi i institucioneve të pavarura, të përgjegjshme dhe efikase të drejtësisë.
  3. Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëpërmjet krijimit të një gjykate të posaçme, organeve të prokurorisë dhe policisë.

Aktualisht jemi në fazën që Shqipëria po tregon jo vetëm vullnetin e mirë, por edhe kurajën për të zbatuar reformën më unike dhe rrënjësore në të gjitha vendet që aspirojnë aderimin në BE.

Deri tani kemi marrë rezultatet e para pozitive nga procesi i vetingut, në të cilin 17 gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen nga pozicionet e tyre dhe një anëtar tjetër i gjykatës kushtetuese është shkarkuar. Ndërkohë, komisionet e vetingut në bashkëpunim të ngushtë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit po vazhdojnë me procesin e vetingut për të gjithë kandidatët e institucioneve të reja si kusht për emërimin e tyre.

Gjithashtu, në nivel politik Qeveria e Shqipërisë synon të mbështesë zbatimin e konventës në nivel kombëtar nëpërmjet krijimit të një grupi ekspertësh të specializuar që japin opinione ekspertësh për çështje të lidhura me standardet e Konventës.

Për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Shqipëria është duke bërë progres të konsiderueshëm për garantimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, të tilla si trajtimi i përshtatshëm i të burgosurve, me fokus në personat me masë mjekësore, në të drejtën për t’u mbrojtur nga diskriminimi, të drejtat e pakicave, të drejtat e pronësisë etj.

Po kështu, ne kemi bërë progres thelbësor në mbrojtjen e pakicave në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet miratimit të ligjit të ri për mbrojtjen e pakicave, pas një procesi të gjatë konsultimi dhe me asistencën teknike të Këshillit të Evropës.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, në lidhje me të drejtat e pronësisë, qeveria shqiptare ka bërë hapa të rëndësishëm përpara me anë të miratimit të një mekanizmi të ri realist për kompensimin e pronave. Miratimi, në muajin dhjetor 2017, i ndryshimeve/amendimeve të akteve nënligjore sipas konstatimeve të Gjykatës Kushtetuese, e ka bërë këtë mekanizëm tërësisht funksional dhe të aftë për të trajtuar, brenda afateve të qarta, çështjet e kompensimit të pronave.

Së fundi, në fund të deklaratës sime, në emër të qeverisë shqiptare dëshiroj të inkurajoj kontributin e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës ndaj Reformimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe për të garantuar angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare në këtë proces.

Më lejoni t’ju uroj një Konferencë sa më frytdhënëse dhe suksese në diskutimet tona.