Gjonaj takon homologun austriak: Austria partnere në krah të Shqipërisë për mbështetjen në zbatimin e reformave - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/08/2018

Gjonaj takon homologun austriak: Austria partnere në krah të Shqipërisë për mbështetjen në zbatimin e reformave

 

 

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj është takuar me homologun e saj austriak z. Josef Moser, në Alpbach të Austrisë. Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis dy vendeve, ecuria e reformës në drejtësi, bashkëpunimi në forcimin e luftës kundër korrupsionit si dhe organizimi për herë të parë në Shqipëri i Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në tetor 2018.

Ministri Moser vlerësoi nismat e Shqipërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Ai u shpreh që “Austria do të jetë gjithmonë një partnere në krah të Shqipërisë për mbështetjen në zbatimin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria”.

Si tregues i mbështetjes dhe vlerësimit që Austria i ka dhënë Shqipërisë u theksua përzgjedhja nga Austria e Shqipërisë si vendi ku do të organizohet Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë, që do të organizohet në Tiranë në tetor 2018.

Z. Moser shprehu mirënjohjen që për herë të parë ky aktivitet do të organizohet në Shqipëri, duke promovuar vlerat dhe arritjet e mëdha që ka bërë deri tani Shqipëria si një vend kandidat për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Nga ana e saj Ministrja Gjonaj e njohu homologun austriak me rezultatet e para që reforma në drejtësi ka dhënë deri më tani, duke vlerësuar edhe kontributin që kanë dhënë ekspertët austriakë në këtë proces, si dhe mbështetjen politike të Komisionit Evropian.

Në fund të takimit, ministri Moser shprehu gatishmërinë e tij dhe të ministrisë që ai drejton për të bashkëpunuar dhe asistuar Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri me çdo program mbështetjeje teknike për forcimin e kapaciteteve të Ministrisë në reformat e ndërmarra.

Takimi me Ministrin Federal të Drejtësisë, z. Josef Moser, u zhvillua gjatë pjesëmarrjes së Ministres Gjonaj në një prej eventeve më të rëndësishme në fushën e drejtësisë, Simpoziumit Ligjor në Alpbach të Austrisë.

Me ftesë të ministrit Moser, ministrja Gjonaj së bashku me homologun austriak hapën Simpoziumin Ligjor, duke ja kushtuar pjesën e parë rezultateve të reformës në drejtësi në Shqipëri si dhe bashkëpunimit të deritanishëm mes dy vendeve tona.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi se nevoja e qytetarëve Shqiptare për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, të pakorruptuar dhe të pandikuar politikisht ishte nxitja kryesore e qeverisë për të ndërmarrë një reformë radikale dhe krejtësisht unike në llojin e vet jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Ministrja Gjonaj u ndal gjithashtu në nismat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare. Ajo vuri në dukje se strukturat e reja që janë ngritur, veçanërisht Task Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion, po funksionojnë me efikasitet, duke dhënë rezultate konkrete dhe të prekshme edhe nga qytetarët.