» KLD ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve
Postuar më: 08/05/2018

KLD ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve

  • KLD ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve

 

Deklaratë për shtyp e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj lidhur me vendimet e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë

 

Dje, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbajti mbledhjen e radhës ku u rrëzuan tre propozimet e mia, për shkarkimin e tre gjyqtarëve, të cilët nga raportet e inspektimit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë rezultonin me shkelje të rënda të ligjit, diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të gjykatës së Durrësit, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, la të lirë dhe mundësoi kështu arratisjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore që kërkohej nga shteti italian për ekstradim.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar, i cili në mënyre diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, për shkak të mos arsyetimit tejet të dyshimtë të vendimit të urdhrit të mbrojtjes në kohë, solli humbjen tragjike të jetës së një gruaje prej duarve të bashkëshortit të saj, të ndjerës Liljana Ruka.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të Gjykatës Administrative, Vlorë, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, kishte plot 212 vendime gjyqësore të arsyetuara me vonesë.

85 prej këtyre vendimeve janë arsyetuar përtej një afati pesëmujor nga data e shpalljes dhe disa prej tyre edhe pothuajse me një vit vonesë, duke cenuar rëndë interesat e qytetarëve të përfshirë në proceset e mbetura në dorën e këtij gjyqtari me veprime haptazi të papërgjegjshme.

Vendosa t’i ndaj këto informacione drejtpërdrejt me publikun, bashkë me shprehjen e indinjatës sime qytetare e profesionale, për vendimmarrjen e pajustifikueshme të shumicës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

E djeshmja ishte një ditë e zezë për këtë Këshill, që nxori në pah sfidën e madhe që kemi përpara për të përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë!

Këshilli i Lartë i Drejtësisë si një organ kolegjial ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve, dhe është kthyer në një strukture mbrojtëse të interesave personale të gjyqtarëve në dëm të interesit publik.

Një arsye më shumë për ta vazhduar me vendosmëri reformimin rrënjësor të sistemit aktual të drejtësisë dhe për t’u ndarë me thikën e operacionit të spastrimit të sistemit, nga kasta e korruptuar që e ka mbajtur atë peng për më shume se një çerek shekulli!

Unë kam besim që me zbatimin pa kompromis të Reformës në Drejtësi, vendime si ato të djeshmet, do të mbeten pjesë e historisë së padenjë të një sistemi, të cilit, po i vjen fundi dhe nuk do të përsëriten më në të ardhmen.