» Mblidhet në Tiranë Ministeriali BE-Ballkani Perëndimor: Shqipëria model suksesi për reformën në drejtësi
Postuar më: 04/10/2018

Mblidhet në Tiranë Ministeriali BE-Ballkani Perëndimor: Shqipëria model suksesi për reformën në drejtësi

Ka nisur sot në Tiranë Ministeriali ndërmjet Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për çështjet e Drejtësisë dhe punëve të Brendshme. Takimi i nivelit të lartë është organizuar për të diskutuar mbi forcimin e shtetit të së drejtës dhe eficencën e sistemeve të drejtësisë në vendet e ballkanit Perëndimor, si një nga kushtet për integrimin e tyre në familjen europiane.

Shqipëria është zgjedhur si vend organizator i këtij eventi për shkak të vlerësimit që i është bërë nga partnerët ndërkombëtarë Reformës në Drejtësi që tashmë është duke u zbatuar në vend dhe përpjekjeve për forcimin e shtetit ligjor. Gjatë ministerialit kjo përvojë e Shqipërisë është trajtuar si njjë model që duhet ndjekur edhe nga vendet e tjera që kanë probleme me drejtësinë.

Në ditën e parë të Ministerialit, kushtuar çështjeve të drejtësisë kanë marrë pjesë komisionerja për Drejtësinë, Konsumatorin dhe Barazinë Gjinore në Komisionin Evropian, znj. Vera Jourova, Ministri i Drejtësisë së Austrisë, Josef Moser, edhe në cilësinë e përfaqësuesit të vendit që ka presidencën e Këshillit të BE, Presindeti i Eurojust, ministrja e Drejtësisë së Bullgarisë si dhe ministrat e vendeve të rajonit, Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë.

Në një postim në rrjetet sociale ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka theksuar se është hera e parë që një takim i një niveli kaq të lartë zhvillohet në Shqipëri, çka është një vlerësim dhe mbështetje e rëndësishme për rrugën e reformave të thella që ka nisur qeveria dhe rezultateve konkrete që ka arritur.