» Modernizimi i infrastrukturës së burgjeve, një nga shtyllat kryesore të reformës në sistemin penitenciar
Postuar më: 02/08/2018

Modernizimi i infrastrukturës së burgjeve, një nga shtyllat kryesore të reformës në sistemin penitenciar

 

Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj e mbajtur në ceremoninë e inaugurimit të IEVP-së në Reç të Shkodrës

Ju falënderoj të gjithë pjesëmarrësve dhe autoriteteve vendore për praninë e tyre sot këtu në institucionin e Reçit, për inaugurimin e një vepre infrastrukturore të standardeve evropiane.

Përurimi i një investimi kaq të rëndësishëm, siç është ky institucion i Ekzekutimit të Vendimeve Penale këtu në Reç të Shkodrës, që po kryejmë sot, është padyshim një ndër momentet më të rëndësishme të një angazhimi të përbashkët me Delegacionin Evropian për të përmirësuar infrastrukturën e sistemit penitenciar.

Është një ditë në të cilën duhet të ndihemi krenarë të gjithë, që me investime të tilla, ne jemi duke i dhënë rëndësinë e duhur sistemit tonë penitenciar, për ta kthyer atë nga një grup godinash të vjetruara dhe të amortizuara, ku mbahen personat e izoluar, që kanë kryer vepra të ndryshme penale, në një sistem, i cili do të duhet të fokusohej më shumë në trajtimin e tyre më të mirë, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri të kësaj kategorie.

Pikërisht për këtë qëllim po zbatojmë një reformë të thellë, ku sigurisht pjesa e modernizimit të infrastrukturës dhe krijimi i kushteve bashkëkohore të burgjeve është një nga shtyllat kryesore të reformës në sistemin penitenciar.

Ndërtimi i këtij institucioni të ri, të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programimit IPA 2011 dhe në funksion të “Objektivave të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë”, me një vlerë ndërtimi prej rreth 14,3 milion €, me bashkëfinancimin e Qeverisë Shqiptare me një vlerë prej 4 milion Euro.

Që prej shtatorit të vitit të kaluar, në bashkëpunim me ekspertët e delegacionit të BE-së, kemi intensifikuar masat për vënien sa më të shpejt në funksionim të këtij institucioni, sipas të gjitha standardeve të kërkuara. Grupe pune të përbashkëta të Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, kanë ndjekur hap pas hapi të gjitha testimet finale të realizuara në objekt. Falënderoj të gjithë personat e përfshirë në këtë proces, punonjësit e IEVP-së, Reç, për punën e dedikuar për marrjen në dorëzim të këtij institucioni, por faktikisht një falënderim i veçantë shkon edhe për drejtorin e këtij institucioni, i cili ka bërë një punë të mrekullueshme në një kohë shumë të shkurtër.

Një falënderim të veçantë për ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin, për mbështetjen e dhënë në ndërtimin e këtij institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale tërësisht sipas standardeve evropiane dhe ndjekjen personalisht nga afër të proceseve deri në dorëzimin e objektit, së bashku me stafin e saj.

Hapja e këtij institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale me kapacitet 780 persona, do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në uljen e fenomenit e mbipopullimit në sistemin e burgjeve, çka është aktualisht një nga problematikat më të mprehta në sistemin penitenciar.

Në të njëjtën mënyrë, lidhur me uljen e mbipopullimit, adresojmë dhe një nga rekomandimet e përsëritura, që ka rezultuar edhe nga monitorimet e Këshillit të Evropës, nëpërmjet Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës.

Burgu i ri plotëson të gjitha kushtet dhe standardet e trajtimit të personave të paraburgosur dhe të dënuar. Ato u përafrohen standardeve të Bashkimit Evropian, në lidhje me akomodimin, sistemet e ngrohjes, regjimin e aktiviteteve ditore, aktiviteteve sociale, kulturore, edukimit, si dhe atyre sportive etj.

Gjithashtu ky institucion ka në dispozicion kushte bashkëkohore për kuzhinën, lavanderinë, ambientet e kujdesit shëndetësor, si ndihma e shpejtë dhe urgjenca, farmacia, etj. Dhe çka është po aq e rëndësishme, sa kushtet komode të jetesës, janë edhe ambientet për reparte pune për punësimin e të burgosurve, duke mbajtur në konsideratë qasjen e re që kemi prezantuar në programin e punësimit të të dënuarve.

Të nderuar pjesëmarrës!

Investimet në infrastrukturën e burgjeve janë vetëm një nga shtyllat ku ne po zbatojmë reformën në sistemin penitenciar.

Për hir të së vërtetës më duhet të kujtoj se kemi trashëguar një sistem burgjesh në kushte skandaloze, si nga ana e infrastrukturës, por edhe nga ana e parametrave të sigurisë, menaxhimit të personelit policor që shërben aty, e deri te respektimi i të drejtave të personave që ndodhen në këto institucione.

Zbatimi i reformës në sistemin penitenciar është shtrirë në mënyrë të njëkohshme në të gjitha shtyllat e saj:

Në drejtim të infrastrukturës, qeveria ka rritur me 10% nivelin e investimeve që do të realizohen gjatë vitit 2018, duke e çuar kështu në 470 milionë lekë buxhetin e investimeve. Jemi në proces ndërhyrjeje tek disa objekte, me rikonstruksione, përmirësime të mjediseve të brendshme të burgjeve dhe rritjen e sigurisë.

Për herë të parë, aplikuam një sistem të ri të përzgjedhjes së drejtuesve të lartë të Institucioneve penitenciare, ku sot numërohen rreth 19 drejtues që vijnë nga pozicionet e larta drejtuese ushtarake.

Kemi kryer një ndryshim rrënjësor në mënyrën e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve nëpërmjet zbatimit të marrëveshjes me Ministrinë e Brendshme, ku konkurrimi dhe trajnimi i të gjithë personelit është bërë nëpërmjet Akademisë së Sigurisë, duke ndryshuar kështu një praktikë të shëmtuar të punësimit të krijuar deri më tani me lidhje nepotike dhe partiake në personelin e burgjeve.

Këtë rrugë përzgjedhjeje kanë ndjekur edhe këta djem e vajza që janë punonjësit e burgut që ne po përurojmë sot, ndaj kam bindjen se shërbimi në këtë institucion do të jetë në nivelet më të larta.

Larguam nga sistemi rreth 200 punonjës, të cilët rezultonin me rekorde penale dhe që ishin marrë në punë në kundërshtim flagrant me ligjin ose në papajtueshmëri të arsimit me pozicionin e punës.

Kemi vijuar punën me ndryshimet ligjore dhe strukturore, të cilat do të bëjnë të mundur një trajtim më të mirë nga ana financiare, si dhe nga ana njerëzore e personelit të burgjeve, por edhe e të të dënuarve.

Këto ndryshime ligjore synojnë dhënien e një statusi të veçantë më të mirë, për punonjësit e policisë së burgjeve, si në aspektin financiar ashtu edhe në rritjen e profesionalizmit të tyre.

Nga ana tjetër, zbatimi i reformës është i fokusuar edhe në masat për rehabilitimin dhe integrimin e mëpasshëm në shoqëri të të dënuarve, përmes krijimit të kushteve për aftësim profesional dhe punësim brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

Tashmë kemi nisur disa projekte konkrete për punësimin e të burgosurve dhe jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për një sërë projektesh të tjera.

Reforma në sistemin penitenciar, e cila është pjesë e rëndësishme e reformës së madhe në drejtësi që ne kemi ndërmarrë me shumë sukses, është në drejtimin e duhur.

Synimi është krijimi i një sistemi penitenciar të sigurt, profesional, larg ndikimeve politike, në respekt të të drejtave të njeriut dhe sigurisht që t’i përshtatet kërkesave të kohës për të qenë në lartësinë e duhur për rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri.

E rëndësishme për t’u theksuar është se, edhe përmes kësaj arritjeje, qëllimi ynë është të forcojmë masat antikorrupsion brenda sistemit të burgjeve, nëpërmjet forcimit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, që kontrollon dhe verifikon veprimet e administratës për të gjitha rastet e abuzimit të detyrës dhe shkeljes së ligjit. Një numër i lartë punonjësish të policisë së burgjeve janë kallëzuar penalisht kur ndaj tyre janë adresuar raste të ankesave për korrupsion ashtu si dhe në rastet e hetimeve proaktive për mitmarrje dhe favorizim të të burgosurve.

Jemi të vendosur, ashtu si angazhimi që Qeveria ka ndërmarrë për të luftuar korrupsionin në të gjitha sektorët e saj, që edhe në sistemin e burgjeve që është një ndër sistemet dhe institucionet që ka më shumë nevojë, të marrim masa për ta pastruar nga elementet korruptive në të gjitha veprimet.

Më lejoni që në mbyllje të kësaj fjale, të falënderoj edhe një herë të gjithë të pranishmit, të falënderoj Komisionin Evropian, si dhe Delegacionin e BE-së dhe ambasadoren Vlahutin dhe të gjithë partnerët, bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtare dhe ata vendas për mbështetjen e madhe që vazhdojnë të na japin në aspektet e ndryshme që lidhen me drejtësinë, si një ndër shtyllat kryesore të një shteti. Faleminderit!