» Presidenti i EUROJUST-it: Reforma në Drejtësi, shpresëdhënëse
Postuar më: 25/05/2018

Presidenti i EUROJUST-it: Reforma në Drejtësi, shpresëdhënëse

  • Presidenti i EUROJUST-it: Reforma në Drejtësi, shpresëdhënëse

 

Hagë – Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i EUROJUST-it, Ladislav Hamran, me të cilin diskutoi miratimin në parim të Marrëveshjes për Bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust-it si dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet EUROJUST-it dhe Shqipërisë.

Miratimi i kësaj marrëveshje nga Këshilli i Ministrave në një kohë të shkurtër u vlerësua si shprehje e vullnetit dhe angazhim maksimal për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar nëpërmjet bashkërendimit të hetimit dhe ndjekjes penale.

Marrëveshja me EUROJUST-in ka si qëllim përmirësimin e bashkëpunimit gjyqësor, si dhe lehtësimin e bashkërendimit të hetimeve dhe ndjekjeve penale, që shtrihen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe një ose më shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Presidenti i EUROJUST-it vlerësoi maksimalisht vullnetin e Qeverisë Shqiptare për bashkërendimin e hetimeve dhe të ndjekjes penale me vendet anëtare të Bashkimit Evropian siç edhe u tregua nëpërmjet miratimit në një kohë të shpejtë në parim të kësaj marrëveshjeje. Më tej ai u shpreh që intensifikimi i kontakteve dypalëshe do të sjellë zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet EUROJUST-it dhe Shqipërisë.

Presidenti, deklaroi se reformat që ka ndërmarrë Shqipëria, veçanërisht reforma në sistemin e drejtësisë, siç edhe është vlerësuar nga Komisioni i Bashkimit Evropian, është shpresëdhënëse. Presidenti u shpreh i gatshëm të mbështeste përpjekjet e Shqipërisë për të zhvilluar marrëdhëniet juridiksionale me jashtë. Gjithashtu, ai përmendi edhe lehtësirat që i krijohen hetimeve gjyqësore shqiptare nëpërmjet anëtarësimit në EUROJUST.

Në përfundim, Presidenti shprehu mbështetjen maksimale për forcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë si dhe u angazhua personalisht për të transmetuar në shtetet anëtare dhe veçanërisht në Holandë zhvillimet që kishte arritur Shqipëria në këtë fushë.

Ministrja e Drejtësisë, znj. Gjonaj, e cila në këtë takim ishte e shoqëruar edhe nga Drejtori i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, z. Arqile Koce, deklaroi se për Ministrinë e Drejtësisë bashkëpunimi gjyqësor është shumë i rëndësishëm për shkak se lejon hetime efektive në një kohë të shkurtër.

“Ministria e Drejtësisë është e gatshme për të bashkëpunuar jo vetëm me EUROJUST-in, por edhe me çdo autoritet tjetër gjyqësor me qëllim që të arrijmë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimit të pastrimit të parave”, tha Ministrja Gjonaj.

Në përfundim të takimit, të dy palët ranë dakord për miratimin e një plani me masa për zbatimin sa më parë të marrëveshjes së bashkëpunimit dhe veçanërisht në forcimin e bashkëpunimit gjatë periudhës tranzitore deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes.