» Prezantohen drejtorët e rinj të ZRPP-ve dhe ALUIZNI-t
Postuar më: 18/01/2018

Prezantohen drejtorët e rinj të ZRPP-ve dhe ALUIZNI-t

Në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë u prezantuan drejtorët e rinj rajonalë të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të Agjencisë së Legalizimit Urbanizimit Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj, drejtorët e përgjithshëm të ALUIZNI-t dhe ZRRP-së, Artan Lame dhe Elion Semanaj. Në fjalën e saj, Ministrja e Drejtësisë duke iu drejtuar drejtuesve të rinj në krye të ALUIZNI-t dhe ZRPP-së u shpreh se pritshmëritë e qytetarëve ndaj tyre janë të larta dhe se sfida më e madhe e të gjithëve bashkë është që të ndryshojmë njëherë e mirë imazhin e zyrave të titujve të pronësisë për t’i kthyer ato në mënyrë reale vetëm në shërbim të qytetarëve dhe për t’i dhënë fund një herë e mirë abuzimeve që bëhen në kurriz të qytetarëve.

“Jemi të vendosur për të mos toleruar asnjë lloj abuzimi që do të bëhet nga stafi i zyrave që kanë detyrimin ligjor për të ofruar shërbimin profesional dhe të shpejtë kundrejt qytetarëve”, tha ministrja Gjonaj.