» Raportim Partnerëve Strategjikë për Masat Antikorrupsion
Postuar më: 31/05/2018

Raportim Partnerëve Strategjikë për Masat Antikorrupsion

 

 

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Antikorrupsionit ka raportuar përpara ambasadorëve të vendeve të BE-së, lidhur me gjithçka është bërë në drejtim të masave për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit, si një nga prioritetet qeverisëse dhe po ashtu një nga kriteret bazë për ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit.

Në një takim të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Gjonaj ka folur për masat e marra nga Qeveria Shqiptare, përmes implementimit efektiv të reformave të thella shtetformuese, si Reforma në Drejtësi, Reforma në Administratën Publike dhe të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit.

“Shqipëria tashmë ka zhvilluar një politikë të qartë antikorrupsion mbështetur në Strategjinë Ndërsektoriale Antikorrupsion 2015-2020. Qeveria shqiptare ka forcuar transparencën dhe llogaridhënien duke riorganizuar strukturën anti-korrupsion si organ mbikëqyrës për të siguruar koordinimin, monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit dhe Planit të saj të Veprimit”, është shprehur ministrja Gjonaj.

Ajo është ndalur në veçanti në ngritjen e dy strukturave shumë të rëndësishme për zbatimin e strategjisë antikorrupsion, që janë Komiteti Koordinator Ministror, ku çdo ministri përfaqësohet në nivelin e zv.ministrit dhe Task Forca ndërinstitucionale, që është përgjegjëse për inspektime ndërinstitucionale, e cila tanimë është operative.

“Aktualisht janë kryer disa inspektime me fokus kontrollin administrativ dhe ligjor të veprimtarisë së institucioneve që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, si dhe zbatimin e procedurave të prokurimit publik”, tha Gjonaj.

Sipas ministres, një vëmendje e veçantë i është kushtuar përfshirjes në këtë aksion të gjerë antikorrupsion, të sa më shumë aktorëve, përfshirë shoqërinë civile, përfaqësuesit e biznesit dhe komunitetin ndërkombëtar. Angazhimi i tyre do të ndikonte në rritjen e transparencës së aktivitetit qeveritar dhe për këtë qëllim është iniciuar një proces konsultimesh të vazhdueshme me përfaqësuesit e këtyre aktorëve.

Nga ana e tyre ambasadorët e vendeve të BE-së kanë vlerësuar nismën e ministres Gjonaj për një raportim periodik të masave dhe rezultateve antikorrupsion. Ata gjithashtu vlerësuan angazhimin e qeverisë në luftën antikorrupsion dhe masat e marra në këtë drejtim, duke shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe për të dhënë mbështetjen e tyre në përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për parandalimin e dhe goditjen e korrupsionit.