» Rekomandimet Prioritare për Prokurorinë: Tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
Postuar më: 24/04/2018

Rekomandimet Prioritare për Prokurorinë: Tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

  • Rekomandimet Prioritare për Prokurorinë: Tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

 

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj ka prezantuar përpara Kryeprokurores Arta Marku dhe drejtuesve të prokurorive në rrethe Rekomandimet Prioritare në luftën kundër kriminalitetit të miratuara nga Këshilli i Ministrave për vitin 2018.

Në një takim të zhvilluar në mjediset e Prokrurorisë së Përgjithshme, Gjonaj ka renditur një sërë problematikash dhe shqetësimesh, për të cilat sipas qeverisë, organi i prokurorisë duhet të jetë më efektiv.

“Lufta me tolerancë zero ndaj korrupsionit, sidomos korrupsionit në nivelet e larta dhe sekuestrimi e konfiskimi i të ardhurave me origjinë kriminale apo pasurisë së pajustifikuar të vënë nga korrupsioni zyrtar, është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare, si edhe një nga kriteret që kushtëzon integrimin evropian të vendit”, u ka thënë Gjonaj prokurorëve, duke nënvizuar se ngritja e Prokurorisë së Posaçme do t’i japë një tjetër dimension mënyrës së hetimit dhe procedimit të këtyre veprave.

Një tjetër rekomandim prioritar i qeverisë është lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, ndëshkimi i ashpër penal i grupeve dhe organizatave kriminale, duke goditur çdo aset ekonomik të paligjshëm të tyre, çka është dhe një element shumë i rëndësishëm në përmbushjen e standardeve në kuadër të integrimit të Shqipërisë dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Duke folur për Reformën në Drejtësi si një objektiv kryesor i Qeverisë, ministrja Gjonaj është ndalur edhe në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Largimi nga sistemi i prokurorëve të korruptuar, të lidhur me krimin apo të paaftë, do të ndihmojë pjesën e shëndoshë të prokurorëve, që t’i vlerësohet përkushtimi dhe puna e palodhur në luftën kundër kriminalitetit”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

Gjonaj është ndalur edhe në fenomenin e mbylljes së çështjeve penale nga prokurorët, duke theksuar: “Konstatohen mbyllje të çështjeve me vendime për mosfillim hetimi në një kohë kur, për të arritur në këtë konkluzion, rezulton se janë kryer një sërë veprimesh hetimore nga prokurori i çështjes. Kjo vendimmarrje është tërësisht e paligjshme”.

Ministrja e Drejtësisë ka inkurajuar Prokurorët për të kryer detyrën e tyre me përkushtim dhe ndershmëri, në zbatim dhe vetëm për zbatim të ligjit.

 

Fjala e plotë e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj në takimin në Prokurorinë e Përgjithshme