» Shqipëria pjesë e Eurojust – Forcim i bashkëpunimit për hetimin e krimit të organizuar trans nacional, terrorizmit dhe korrupsionit
Postuar më: 05/10/2018

Shqipëria pjesë e Eurojust – Forcim i bashkëpunimit për hetimin e krimit të organizuar trans nacional, terrorizmit dhe korrupsionit

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj dhe Presidenti i Eurojust-it, Njësia e Bashkëpunimit Gjyqësor e Bashkimit Evropian, z. Ladislav Hamran, nënshkruan sot marrëveshjen për të fuqizuar bashkëpunimin operacional dhe strategjik gjyqësor ndërmjet Shqipërisë dhe Eurojust-it.

Kjo është marrëveshja e tretë e bashkëpunimit ndërmjet Eurojust-it dhe një shteti në Ballkanin Perëndimor dhe është një hap tjetër i rëndësishëm në luftën e përbashkët kundër krimit të rëndë trans nacional.

Marrëveshja do të hapë mundësinë e një shkëmbimi të sigurt dhe efecient të informacionit gjyqësor dhe shkëmbimit të provave. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në kontekstin e Ministerialit BE – Ballkani Perëndimor për çështjet e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, që po zhvillohet në Tiranë.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe Komisionerja Evropiane për Drejtësinë, Doganat dhe Barazinë Gjinore, Znj. Věra Jourová dhe Ministri i Çështjeve Kushtetuese, Reformave, Derregullimit dhe Drejtësisë së Austrisë, z. Dr. Josef Moser.

Marrëveshja do t’u mundësojë prokurorëve shqiptarë të forcojnë bashkëpunimin me kolegët e tyre nga vendet që aderojnë në këtë strukturë, do të rrisë shkëmbimin e informacionit gjyqësor dhe do t’i mundësojë Shqipërisë praninë e përhershme të një prokurori ndërlidhës në zyrat e EUROJUST në Hagë

Pas nënshkrimit të marrëveshjes ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh:

“Marrëveshja me EUROJUST do të sjellë një përmirësim cilësor në kryerjen e hetimeve trans nacionale. Do të mundësojë që ekipet e prokurorisë shqiptare të forcojnë bashkëpunimin me kolegët e tyre nga vendet anëtare të BE dhe vendet e tjera që janë pjesë e kësaj strukture, duke përfshirë edhe partnerët tanë rajonalë Maqedoninë dhe Malin e Zi, do të rrisin shkëmbimin e informacionit gjyqësor dhe do të lejojnë Shqipërinë të dërgojë një prokuror ndërlidhës të përhershëm në Eurojust, në Hagë. Kjo do të kontribuojë drejtpërsëdrejti në rezultatet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit, do të rrisë besimin në kapacitetet tona hetimore dhe do të sjellë Shqipërinë më pranë Bashkimit Evropian”.

 Nga ana e tij Presidenti i Eurojust-it, Ladislav Hamran u shpreh:

“Në botën tonë të globalizuar, kriminelët i kalojnë kufijtë dhe këtë duhet të bëjnë edhe sistemet tona të drejtësisë. Unë mirëpres ngrohtësisht përfundimin e marrëveshjes së sotme të bashkëpunimit, që do të konsolidojë partneritetin tonë dhe do të sjellë Shqipërinë tërësisht në familjen e Eurojust-it. Kjo do të hapë të gjitha mundësitë që Shqipëria të marrë pjesë dhe të përfitojë nga të gjitha instrumentet e praktikat të bashkëpunimit nëpërmjet Eurojust-it për të ndjekur penalisht çështjet e krimeve të rënda dhe ndërkufitare, të sjellë të dyshuarit para drejtësisë dhe të mbrojë qytetarët tanë. Vetëm së bashku ne mund ta bëjmë Evropën një vend më të sigurt”.

 Dr. Josef Moser u shpreh:

Ne mund të luftojmë krimin në nivel ndërkombëtar vetëm nëse veprojmë së bashku në një përpjekje globale. Eurojust promovon dhe lehtëson koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve gjyqësore kombëtare në ndjekjen penale të krimit të rëndë ndërkufitar në BE. Dje, ne kemi parë në kuadër të Konferencës së Ballkanit Perëndimor se Shqipëria është gati të bashkëpunojë më ngushtë me BE-në edhe në fushën e së drejtës penale. Presidenca Austriake e mirëpret bashkëpunimin midis Eurojust-it dhe Shqipërisë. Në këtë kontekst, ne kemi përcaktuar mirë kursin për bashkëpunim  edhe më intensiv të Shqipërisë me BE

 Zj Věra Jourová u shpreh:

“Unë përshëndes nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit Eurojust-Shqipëri. Marrëdhëniet më të ngushta ndërmjet autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe atyre evropiane do të ndihmojnë në përmirësimin e luftës kundër krimit ndërkombëtar. Qëllimi është i thjeshtë: ne duam ta bëjmë më të vështirë jetën e grupeve të krimit të organizuar duke shkëmbyer më shpejt informacionin dhe provat. Marrëveshja do të forcojë bashkëpunimin dhe besimin reciprok midis Shqipërisë dhe partnerëve të saj në BE, duke kontribuar në perspektivën evropiane të Shqipërisë “.

 Shkëmbimi i shpejtë dhe eficient i informacionit dhe provave ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve Anëtare të BE-së në hetimet ndërkombëtare të krimeve

Me marrëveshjen e sotme, Shqipëria do të përfitojë nga aksesimi i sistemeve informative të Eurojust-it, si dhe nga shkëmbimi i të dhënave personale dhe provave ndërmjet prokurorëve dhe hetuesve nga e gjithë Evropa.

Marrëveshja krijon mundësinë për të caktuar një Prokuror Ndërlidhës tek Eurojust-i në të ardhmen e afërt për të përmirësuar më tej bashkëpunimin. Qysh nga viti 2015, Shqipëria është përfshirë në 33 hetime ndërkombëtare në krime të rënda ndërkufitare, të mbështetura nga Eurojust-i, kryesisht në lidhje me grupet e krimit të organizuar që kanë të bëjnë me trafikun e narkotikëve dhe krimet kundër jetës, paprekshmërisë fizike dhe lirisë personale, si: vrasje me dashje, rrëmbim dhe trafikim i paligjshëm i organeve të njeriut.

Qysh nga viti 2017, Shqipëria ka marrë pjesë edhe në dy ekipe hetimi të përbashkët, duke përfshirë një me Italinë. Bisedimet formale për hyrjen në një marrëveshje bashkëpunimi filluan në vitin 2016.

Një dorë e fortë në partneritetin me Ballkanin Perëndimor

Qysh nga viti 2008, Eurojust-i ka ngritur një kuadër gjithmonë e më të fortë të bashkëpunimit strukturor gjyqësor ndërmjet Shteteve Anëtare të BE-së dhe Shteteve të Ballkanit Perëndimor në fushën e krimeve të rënda. Eurojust-i ka marrëveshje bashkëpunim me FYROM, qysh nga viti 2008 dhe me Malin e Zi qysh nga viti 2016. Këta Shtete kanë gjithashtu Prokurorë Ndërlidhës të caktuar në Eurojust në Hagë, të cilët punojnë krah për krah me magjistratët nga Shtetet Anëtare të BE-së për të lehtësuar hetimet në vazhdim. Eurojust-i ka pika kontakti në pesë Shtete të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë në Serbi dhe Bosnje Hercegovinë.

Lehtësimi i afërsisht 200 hetimeve të përbashkëta penale ndërmjet Shteteve Anëtare të BE-së dhe Shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Qysh nga janari i vitit 2015, u regjistruan 182 çështje me Eurojust-in duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, FYROM, Malin e Zi dhe Serbinë. Kategoritë më të zakonshme të krimeve ishin: mashtrimi, trafikimi i narkotikëve, si dhe krimet kundër jetës, paprekshmërisë fizike dhe lirisë personale. Gjatë periudhës së referencës, janë krijuar 9 ekipe të përbashkëta hetimore ndërmjet Shteteve Anëtare të BE-së dhe Shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Të dhëna paraprake: Marrëveshje bashkëpunimi me Eurojust-in

Eurojust-i është Njësia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin Gjyqësor e ngritur në vitin 2002 për të stimuluar dhe forcuar bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve kompetente të Shteteve Anëtare dhe për të përmirësuar bashkërendimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale të tyre, në lidhje me krimet e rënda, të organizuar dhe ndërkufitare. Eurojust-i mund të bashkëpunojë formalisht me Shtetet e treta me të cilët ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin e informacionit gjyqësor dhe të dhënave personale. Tashmë, Eurojust-i ka përfunduar marrëveshje bashkëpunim me 10 Shtete: Shqipërinë, FYROM, Islandën, Lihtenshteinin, Moldavinë, Malin e Zi, Norvegjinë, Zvicrën, Ukrainën dhe SHBA-në. Shtatë nga këta Shtete kanë caktuar një Prokuror Ndërlidhës në Eurojust.