Ministry of Justice

Shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 shënoi lindjen e shtetit shqiptar dhe krijoi nevojën për ngritjen e institucioneve të tij themelore. Ndër to, një vend të veçantë zinte administrimi i drejtësisë, si një nga funksionet bazë të sovranitetit shtetëror. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë u përfshi që në përbërjen e parë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, të shpallur më 4 dhjetor 1912, ndërsa Petro Poga u emërua ministri i parë i Drejtësisë i shtetit shqiptar.

Detyra kryesore e Ministrisë në vitet e para ishte organizimi i administratës së drejtësisë dhe krijimi i bazës ligjore për funksionimin e gjykatave. Në kushtet kur shteti shqiptar nuk dispononte ende një legjislacion kombëtar të konsoliduar, vijuan të zbatoheshin përkohësisht dispozitat e së drejtës osmane, për aq sa ato nuk binin ndesh me rendin e ri shtetëror. Paralelisht, nisi puna për hartimin e akteve të para normative dhe ngritjen e institucioneve gjyqësore shqiptare.

Një nga arritjet më të rëndësishme të kësaj periudhe ishte miratimi i Kanunit të Zhurisë në vitin 1913. Ky akt normativ përbën rregullimin e parë të miratuar nga shteti shqiptar për organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor. Ai përcaktoi strukturën e gjykatave, kompetencat e tyre, organizimin e gjykimit me zhuri dhe elemente të procedurës penale, duke dëshmuar përpjekjen e shtetit të ri për të ndërtuar një sistem drejtësie mbi baza të mirëpërcaktuara ligjore. Një vit më vonë, më 4 qershor 1914, u miratua një ligj i ri për organizimin e gjykatave, i cili zëvendësoi Kanunin e Zhurisë dhe synoi të përshtaste organizimin gjyqësor me zhvillimet institucionale të kohës.

Megjithëse kjo periudhë u ndërpre nga kriza politike e vitit 1914, largimi i Princ Wilhelm zu Wied dhe shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, rëndësia e saj mbetet themelore në historinë e Ministrisë së Drejtësisë. Pikërisht në këto dy vite u krijua institucioni, u përcaktuan funksionet e tij kryesore dhe u hodhën bazat e para të organizimit të drejtësisë shqiptare. Kjo trashëgimi institucionale do të shërbente si pikë referimi për rindërtimin e administratës së drejtësisë pas rivendosjes së shtetit shqiptar në vitin 1920.