Ministry of Justice

Me vendosjen e regjimit komunist në fund të vitit 1944, shteti shqiptar u riorganizua mbi parimet politike dhe ideologjike të sistemit socialist. Ministria e Drejtësisë vijoi të funksiononte si pjesë e administratës qendrore të shtetit, por veprimtaria e saj zhvillohej në kuadër të një sistemi politik të dominuar nga Partia e Punës e Shqipërisë, ku organizimi i pushtetit mbështetej në parimin e unitetit të pushtetit shtetëror dhe jo në ndarjen e pushteteve sipas modelit demokratik.

Në vitet e para të pasluftës u miratuan ligje të reja për organizimin e gjykatave dhe të prokurorisë, ndërsa Kodi Penal i vitit 1952 shënoi fillimin e kodifikimit të së drejtës penale sipas parimeve të shtetit socialist. Më pas, Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e vitit 1976 institucionalizoi në nivel kushtetues karakterin socialist të shtetit dhe rolin udhëheqës të Partisë së Punës së Shqipërisë. Në këtë kuadër u miratua edhe Kodi Penal i vitit 1977, i cili pasqyroi orientimin ideologjik të legjislacionit penal dhe përshtatjen e tij me parimet kushtetuese të regjimit komunist.

Gjatë kësaj periudhe, administrata e drejtësisë u organizua sipas strukturave të shtetit socialist. Megjithatë, organizimi dhe funksionimi i sistemit gjyqësor nuk mbështetej në parimin e ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së gjyqësorit, në kuptimin që këto parime kanë në shtetin demokratik të së drejtës. Gjykatat, prokuroria dhe institucionet e tjera të drejtësisë ushtronin veprimtarinë e tyre në përputhje me legjislacionin socialist dhe në funksion të objektivave politike e ideologjike të regjimit komunist. Për pasojë, sistemi i drejtësisë ishte pjesë e mekanizmit të pushtetit shtetëror dhe jo një pushtet i pavarur në kuptimin bashkëkohor të shtetit të së drejtës.

Një moment i veçantë në historinë institucionale të Ministrisë së Drejtësisë ishte shtatori i vitit 1966, kur ajo u suprimua si institucion i veçantë shtetëror. Ky vendim ishte pjesë e reformës së gjerë politike dhe administrative të ndërmarrë nga regjimi komunist në kuadër të procesit të ashtuquajtur “revolucionarizimi i mëtejshëm i jetës së vendit”. Në përputhje me konceptin socialist të organizimit të pushtetit, u vlerësua se funksionet e Ministrisë së Drejtësisë mund të ushtroheshin nga institucione të tjera shtetërore, pa qenë e nevojshme ekzistenca e një ministrie të posaçme. Si rrjedhojë, kompetencat e saj u shpërndanë ndër organe të ndryshme të administratës dhe të sistemit gjyqësor, ndërsa Shqipëria mbeti pa Ministri të Drejtësisë deri në muajin maj të vitit 1990. Në literaturën historike dhe juridike kjo reformë konsiderohet një rast i pazakontë në organizimin institucional të shteteve socialiste të Europës Lindore dhe është vlerësuar si një rast unik në kampin socialist.

Megjithëse Ministria e Drejtësisë nuk ekzistonte më si institucion, sistemi i drejtësisë vijoi të funksiononte përmes gjykatave, prokurorisë dhe organeve të tjera shtetërore, të organizuara sipas modelit institucional të shtetit socialist. Suprimimi i Ministrisë nuk nënkuptonte ndërprerjen e administrimit të drejtësisë, por një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si ky funksion organizohej dhe drejtohej nga shteti.

Rikrijimi i Ministrisë së Drejtësisë në maj 1990 përbëri një nga ndryshimet e para institucionale në fund të regjimit komunist dhe shënoi rikthimin e administrimit qendror të drejtësisë nëpërmjet një ministrie të specializuar. Ky zhvillim parapriu transformimet kushtetuese dhe politike që çuan në vendosjen e pluralizmit politik dhe të shtetit demokratik të së drejtës.