Ministry of Justice

Të dashur praktikantë,

Të nderuar mentorë,

Këto ditë të rinjtë shqiptarë po flasin me zë të lartë.

Disa në sheshe.

Disa në auditore.

Disa këtu, duke njohur institucionet nga afër.

Janë zgjedhje të ndryshme.

Por pas tyre qëndron shpesh e njëjta pyetje:

A mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë këtu, në Shqipëri?

Ju keni zgjedhur t’i njihni institucionet nga brenda.

Keni punuar me njerëzit e tyre.

Keni parë çfarë funksionon dhe, besoj, edhe çfarë duhet të ndryshojë.

Pikërisht për këtë dua të flasim sot.

Në letër, programi është i thjeshtë.

Tre muaj në një institucion publik.

Një trajnim nga Shkolla e Administratës Publike.

Për disa prej jush, mundësia e një kontrate pune.

Por ajo që mësoni është më e madhe se kaq.

Nga jashtë, shteti ndonjëherë duket si “mur”: radhë, letra, një “ejani nesër”.

Kur hyni brenda, zbuloni se pas çdo procedure ka “njerëz”.

Njerëz që përpiqen,  që lodhen, që gabojnë.

Dhe shumë prej tyre e mbajnë shtetin në këmbë çdo ditë, pa i parë kush.

Në Ministrinë e Drejtësisë, pas çdo dosjeje ka “një njeri”.

Dikush kërkon ndihmë juridike, sepse nuk ka mundësi të paguajë avokat.

Dikush ka fituar një gjyq dhe pret ende që vendimi të zbatohet.

Një nënë pyet si mund ta takojë djalin në burg.

Për ta, puna jonë nuk është procedurë. Është një problem që pret zgjidhje.

Dhe mënyra si e trajtojmë atë njeri përcakton sa besim ka ai te shteti.

Në administratë do të mësoni shpejt dy fjalë: “protokoll” / dhe “nesër”.

E para është e domosdoshme.

Të dytën, ju lutem, mos e mësoni.

Më lejoni një kujtim.

Në vitet 1990 -1991 isha student.

Dola në rrugë me shokët e mi, sepse besonim se Shqipëria mund të ishte ndryshe.

Më vonë, kur nisa të punoja në institucione, kuptova përgjegjësinë që vjen pas asaj dere.

Duhet të punosh çdo ditë që ndryshimi të mbajë.

Dhe nuk duhet ta harrosh zërin e atyre që e kërkuan.

Pakënaqësia e të rinjve ka diçka për të na thënë.

Pyetja për ne nuk është si të kalojë kjo javë, por “çfarë nuk kemi dëgjuar ende.”

E drejta për të protestuar paqësisht është e garantuar.

Dhuna nuk justifikohet.

Dhe çdo pretendim për shkelje të ligjit, nga kushdo që vjen, duhet shqyrtuar nga institucionet kompetente, me paanshmëri.

Kjo është drejtësia: “një standard për të gjithë.”

Pse ka rëndësi kjo për ju?

Shumë të rinj nuk largohen vetëm për pagën.

Largohen kur pushojnë së besuari se rregullat vlejnë njësoj për të gjithë.

Reforma në drejtësi nuk matet vetëm me ligjet që miratojmë dhe institucionet që ndërtojmë.

Matet, mbi të gjitha, me drejtësinë që përjeton qytetari.

Kur pret më pak për një vendim. Kur nuk i duhet “një njeri”  për të marrë atë që i takon me ligj.

“Shteti nuk i mban të rinjtë duke u kërkuar durim.”

“I mban duke u dhënë arsye.”

Atëherë, çfarë bëjmë që nesër?

Nga ju kërkoj tre gjëra.

E para: pyesni “pse?” për çdo procedurë që nuk e kuptoni.

Ndonjëherë do të zbuloni një arsye të mirë. Ndonjëherë, se askush nuk e mban më mend arsyen.

E dyta: shkruani.

Para se të mbaroni praktikën, më dërgoni një faqe për një gjë që e keni parë nga brenda dhe që i humbet kohë qytetarit pa arsye.

Do t’i lexoj.

Brenda 30 ditëve do t’ju kthejmë përgjigje: çfarë mund të ndryshojmë menjëherë, çfarë kërkon ndryshime më të gjera dhe çfarë do t’ua përcjellim institucioneve përkatëse.

E treta: mos u mësoni me të keqen.

Rreziku më i madh për një praktikant nuk është gabimi.

Është dita kur fillon të thotë: “kështu ka qenë gjithmonë”.

Mentorëve, që ua falënderoj përkushtimin, u kërkoj vetëm një gjë: vazhdoni t’u jepni punë të vërtetë.

Një praktikant që bën vetëm fotokopje nuk mëson shtetin.

Mëson fotokopjuesin.

Dhe vetes i kërkoj atë që u kërkoj juve: të dëgjoj edhe kur nuk është e rehatshme.

Disa prej jush do të vazhdojnë në administratë. Të tjerë do të zgjedhin rrugë të ndryshme.

Kudo që të shkoni, do ta dini si duket shteti nga brenda.

Do ta keni më të vështirë të besoni se gjithçka është e pashpresë.

Dhe po aq të vështirë të besoni se gjithçka është në rregull.

Do të mbyll me këtë.

Ne, që mbajmë përgjegjësi publike, themi shpesh se të rinjtë janë e ardhmja.

Është e lehtë ta thuash, sepse e ardhmja nuk kërkon llogari sot.

Ju kërkoni sot. Dhe keni të drejtë.

Pyetja nuk është nëse të rinjtë do ta besojnë shtetin.

Pyetja është nëse shteti do të bëhet “i denjë” për besimin e tyre.

Ju faleminderit!