Ministry of Justice

I nderuar z. Kryeministër,

Të nderuar përfaqësues të Këshillit të Europës,

I dashur Gianluca,

Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë,

Gjyqtarë, prokurorë e avokatë,

Përfaqësues të akademisë, shoqërisë civile dhe medias,

Zonja e zotërinj,

Tradita më shtrëngon ta nis nga një nen.

Detyra më ngarkon ta nis nga një njeri.

Dhe po e nis nga një zonjë që punonte në administratën tatimore.

Në nëntor 2013, Afërdita Hysën e akuzuan për shpërdorim detyre.

Kur mori dijeni, u paraqit vetë përpara autoriteteve.

Para gjykatës, znj. Hysa parashtroi se ishte nënë e dy fëmijëve të vegjël, se kishte punuar pesëmbëdhjetë vjet në administratë dhe se dokumentet e hetimit ishin sekuestruar tashmë.

Pavarësisht kësaj, autoritetet vendosën masën e sigurimit arrest në burg.

Plot dhjetë vjet më vonë, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut shqyrtoi periudhën e parë të paraburgimit të saj, pesë muaj e pesë ditë, dhe konstatoi se gjykatat shqiptare
nuk kishin dhënë arsye të duhura e të mjaftueshme për ta mbajtur znj. Hysa në burg.

Strasburgu nuk tha se dyshimi nuk ekzistonte.

Pohoi diçka më themelore: dyshimi është fillimi i analizës, jo fundi i saj.

Kur shteti vendos t’i marrë lirinë dikujt që ende nuk është dënuar, duhet të japë llogari përse.

Pse ekziston rreziku i arratisjes?

Pse mund të cenohen provat?

Pse mund të përsëritet krimi?

Dhe, mbi të gjitha, pse nuk mjafton asnjë masë tjetër, më pak kufizuese?

Kjo pyetje është thelbi i ndryshimeve për caktimin e masave të sigurimit, që paraqesim sot.

Pas pak, ekspertët do t’jua prezantojnë imtësisht.

Ndërkohë unë do të ndalem te tri gjëra: pse i nevojitet Shqipërisë kjo reformë, sa shtrihet ajo dhe çfarë merr përsipër Ministria.

Dhe dua ta them që në fillim:

Teksti nuk është hermetik.

Është projekt për konsultim.

Rasti Hysa na rrëfen se çfarë rrezikon individi.

Të dhënat na dëftojnë përmasën e problemit me të cilin duhet të ballafaqohet i gjithë sistemi.

Sipas të dhënave të Këshillit të Europës për vitin 2024, thuajse gjashtë nga çdo dhjetë njerëz në institucionet tona të ekzekutimit të vendimeve penale ende nuk kishin një vendim të formës së = prerë.

Pra, gjashtë nga dhjetë të burgosur ende nuk ishin dënuar përfundimisht.

Raporti i Shqipërisë ishte më i larti ndër të gjitha vendet e përfshira në atë krahasim, ndërkohë që disa vende të rajonit gjendeshin në skajin e kundërt të renditjes.

Sipas Dokumentit Udhëzues të ekspertëve të Këshillit të Europës, paraburgimi në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm zgjaste mesatarisht rreth 253 ditë.

Por kjo nuk do të thotë se çdo paraburgim është i gabuar.

Aspak kështu.

Ka raste kur arresti në burg është absolutisht i domosdoshëm: kur rreziku i arratisjes është real, ose kur mund të kërcënohen viktimat e dëshmitarët.

Në këto raste, shteti duhet të veprojë me vendosmëri.

Nga ana tjetër, kur 2 353 njerëz presin në burg një vendim që nuk mbërrin, kemi detyrimin moral dhe institucional t’i bëjmë vetes pyetjet e mësipërme, sado të vështira qofshin ato.

Nuk i takon as ministrit, as qeverisë dhe as Parlamentit të përcaktojë se çfarë mase duhet të vendosë gjykata në një çështje konkrete.

Ajo që i takon autoriteteve përgjegjëse në procesin ligjvënës është tjetër gjë: a i kemi dhënë gjykatës kritere të qarta dhe alternativa reale për të zgjedhur, në çdo rast, masën e nevojshme dhe proporcionale?

Pranverën e këtij viti, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhanë një përgjigje të fortë për këtë problem: arresti në burg ka karakter përjashtimor; pesha e akuzës nuk mjafton në vetvete; rreziku duhet të jetë konkret e jo abstrakt; dhe prokuroria duhet të përligjë pse asgjë më pak se burgu nuk mjafton.

Të njëjtin standard ka vendosur edhe Strasburgu, ndaj ne kërkojmë ta shprehim më qartë në Kodin e Procedurës Penale. Drejtësia duhet të marrë parasysh se një arsye që ekzistonte ditën e parë mund të jetë fashitur në muajin e gjashtë.

Paraburgimi është pjesa më e dukshme e kësaj reforme, por jo e vetmja.

Një pjesë e këtyre garancive ekzistojnë tashmë; projekti synon t’i qartësojë dhe t’i bëjë më lehtësisht të zbatueshme.

Propozojmë që prokurori të ketë detyrimin të dokumentojë dhe të vërë në dispozicion edhe provat në favor të të pandehurit, ndërsa mbrojtjes t’i njihet e drejta për të hetuar.

Hetimi tanimë do të ketë një fillim formal dhe objekt të përcaktuar.

Kush thirret si dëshmitar, ndërkohë që në të vërtetë trajtohet si i dyshuar, duhet të gëzojë mbrojtjen që i takon të dyshuarit.

Sekuestrimi i një telefoni personal nuk do të japë më të drejtën për qasje të pakufizuar në të dhënat vetjake, por vetëm në pjesën që miraton gjykata.

Dhe instancat publike nuk do të mund ta paraqesin të dyshuarin si fajtor, përpara se të jetë shprehur gjykata.

Prezumimi i pafajësisë duhet të mbrohet njëlloj si e drejta e publikut për t’u informuar dhe funksionimi i lirë i shtypit.

Të njëjtat rregulla vlejnë për të gjithë, qofshin zyrtarë a qytetarë të thjeshtë.

Këtë tekst e ka ndikuar drejtpërdrejt ekspertiza europiane.

Gjatë konsultimit do të shqyrtojmë me kujdes çdo propozim që synon mbrojtjen e të drejtave dhe aftësinë e institucioneve për hetime të efektshme.

Kjo reformë nuk e harron as viktimën.

Në rastet e dhunës në familje, gjykatës do t’i jepet e drejta ta largojë menjëherë nga banesa personin e dyshuar për dhunë, t’i ndalojë afrimin me viktimën dhe ta mbikëqyrë, madje edhe kur vepra është nën pragun e përgjithshëm të dënimit.

Garancia pasurore do të caktohet sipas gjendjes financiare të personit, në mënyrë që liria të mos mbetet privilegj i atij që paguan.

Dhe kur ka rrezik për provat, liria nuk do të blihet me para.

Ekspertët na kanë thënë edhe diçka tjetër, të cilën duhet ta dëgjojmë me përulësi: ligji, i vetëm, nuk e ndryshon praktikën.

Ndaj, Ministria u vë shpatullat përgjegjësive të veta.

Sot në Shqipëri nuk gjendet askush nën mbikëqyrje elektronike.

Një alternativë që ekziston vetëm në ligj nuk përbën kurrfarë alternative.

Rikthimi i saj në praktikë na takon ne, jo gjykatës.

Qeveria ka ndarë tashmë fondet për zbatimin e monitorimit elektronik, dhe ne angazhohemi ta vëmë atë në funksion brenda pranverës së ardhshme.

Po aq rëndësi kanë regjistrimi audioviziv i marrjes në pyetje dhe kuadri për provën digjitale.

Por krijimi i kushteve për to, në pajisje, ekspertizë dhe kohë, na detyron të jemi pragmatikë për hyrjen e tyre në fuqi. //

Do t’u propozojmë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë hartimin e një strategjie të përbashkët për paraburgimin, me objektiva cilësinë e arsyetimit, shqyrtimin në kohë, funksionimin e alternativave dhe transparencën e të dhënave.

Projekti që paraqesim sot nuk është fjala e fundit.

Pikërisht brenda orarit zyrtar të ditës së sotme, projekti do të jetë i ngarkuar në platformën e konsultimit publik.

Presim komentet e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, akademikëve, shoqërisë civile dhe të gjitha palëve të interesuara deri më 28 tetor.

Sot publikojmë projektligjin dhe relacionin shpjegues.

Në vijim, do të botojmë edhe një përmbledhje të komenteve dhe të mënyrës si janë trajtuar.

Ky Kod duhet të marrë trajtë pikërisht nga ata që do ta zbatojnë.

Në mbyllje, dua të rikthehem te Afërdita Hysa.

Jo për të diskutuar fajësinë a pafajësinë e saj.

Kjo nuk është çështja jonë sot.

Por për të kujtuar pesë muajt dhe pesë ditët që shqyrtoi Strasburgu.

Koha në liri ka një kuptim krejt tjetër nga koha brenda qelisë.

Pesë muaj për çdo njeri të lirë mund të jenë veçse pesë faqe në kalendarin e xhepit.

Për Afërditën, të privuar nga liria, janë pesë muaj larg fëmijëve, larg punës, larg jetës së përditshme.

Nëse shteti vendos ta marrë atë kohë përpara një vendimi të formës së prerë, duhet të ketë arsye të fortë për secilën ditë.

Neni 5 i Konventës Europiane mbron lirinë dhe sigurinë e personit nga privimi arbitrar i lirisë.

Ky është kufiri që shteti duhet të respektojë kur përmbush detyrën e vet për të mbrojtur shoqërinë.