Ministry of Justice

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputetë, anëtarë të Komisionit,

Sot kam ardhur të paraqes përpara jush planin se si do përdorim paratë e shqiptarëve për drejtësinë në vitin 2027. Pyetja që ne i kemi vendosur vetes në hartimin e projektbuxhetit për drejtësinë dhe në përmbushjen e këtij ushtrimi ka qenë “Çfarë do të ndryshojë për qytetarin? Sa do të kushtojë drejtësia për të? Si do ta matim efektivitetin e financimit që qeveria shqiptare do t’i bëjë sistemit të drejtësisë?”

Kështu që, në këtë mision do të doja ta nisja në radhë të parë nga rritja ekonomike e cila nevojitet të shndërrohet në mirëqenie për qytetarin, dhe me tre shifra doja që të evidentoja rritjen ekonomike, që për vitin 2027 parashikohet të jetë 3.9%, parashikim nga institucionet të pavarura siç është Banka e Shqipërisë.

Të ardhurat buxhetore me 908 miliardë lekë, ku janë 7.7% më shumë se në vitin 2026, ndërkohë që defiçiti buxhetor planifikohet në 2.3% të prodhimit të brendshëm bruto. Pra, një rritje afër 4%, një e ardhur afër 1 trilion lekë dhe një defiçit buxhetor në nivele historike 2.3%, janë tre shifra që njëkohësisht tregojnë si mundësitë e buxhetit, por edhe kufijtë e tij, pasi ekonomia po krijon burime, ndërkohë që disiplina fiskale kërkon që ne t’i përdorim ato me përgjegjshmëri, ndërkohë që pyetja për qytetarin është: Cfarë do të ndryshojë në jetën e tij?

Dhe rritja ekonomike në buxhetin e këtij viti, të nderuar kolegë, do të përkthehet në shërbime më të mira, në mundësi më të mëdha dhe në më shumë siguri për qytetarët. Sepse ky është edhe qëllimi kryesor: Që rritja ekonomike të ketë kuptim për mirëqenien familjare dhe, natyrisht, që ajo ndryshon për secilën familje. Kjo vlen edhe për drejtësinë. Mund të miratojmë ligje shumë të mira, mund të financojmë institucione, mundet që të ndërtojmë edhe godina të reja, por qytetari ka gjithmonë pyetjen: Si do ta ushtroj unë të drejtën time? A po e ushtroj dot të drejtën time?

Dhe kjo ka qenë ideja, thelbi që ka udhëhequr buxhetin që paraqesim sot përpara jush.

Dy fjalë për sistemin e drejtësisë. E di që ju do t’i dëgjoni të gjitha institucionet e pavarura, por unë thjesht dua t’ju them se si do të dalin, sa para do të dalin nga buxheti i shtetit për to, dhe natyrisht që ju do të negocioni me secilën nga ato, se ata janë të pavarur në qeverisjen e tyre, ama është buxheti shqiptar dhe janë paratë e shqiptarëve që shkojnë në sistemin e drejtësisë, ku kësaj radhe do të financohet me rreth 27.1 miliardë lekë ose 29.6 miliardë lekë së bashku me fondin e kompensimit të pronave. Kjo përfaqëson rreth 2.8% të shpenzimeve publike dhe një rritje prej rreth 1.2% ndaj buxhetit aktual të vitit 2026. Rreth 18.8 miliardë lekë, pothuajse 70% e buxhetit të sistemit, shkojnë për pagat dhe sigurimet e njerëzve që punojnë, që do të thotë magjistratët, të cilët sot gëzojnë një nga pagat më të larta në rajon dhe, krahasuar me magjistratët europianë, me mesataren e pagave të vendit tonë, ne jemi shumë herë më lart. Natyrisht, ju ishit vetë analizuesit dhe autorët e transformimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në ligj.

Natyrisht që është sfiduar nga magjistratët, do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të parë se si mundet që të shndërrohet në një formulë që të mos kemi më mosmarrëveshje, siç kemi pasur këto 3 vitet e fundit.

Për sa i përket investimeve në sistemin e drejtësisë, janë parashikuar rreth 2.75 miliardë lekë në 27-ën, 6% më shumë se një vit më parë, ku një drejtim shumë i rëndësishëm është modernizimi i administrimit të çështjeve në sistemin e drejtësisë, si në gjyqësor ashtu edhe në prokurori. Sistemi i integruar i menaxhimit të çështjeve gjyqësore të prokurorisë, i mbështetur këtu bashkë edhe me partnerët europianë, por pjesën më të madhe e paguan buxheti i shtetit, synon të përmirësojë organizimin e punës, dhe kjo ka rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarin, sepse drejtësia, kur vonon, ka një kosto financiare për ta, por edhe për buxhetin.

Dhe do të doja që të kaloja tek investimet në infrastrukturën e drejtësisë. Kemi një lajm shumë të rëndësishëm për sistemin dhe kjo është qyteza e drejtësisë në Tiranë, ku do të mblidhen së bashku të gjitha gjykatat. Pra, do të jetë investimi më i madh për sa i përket godinave të gjykatave të prokurorisë në Tiranë. Pra, do të jetë lagjja e dytë pas Polit të Drejtësisë, ky do të jetë dhe investimi më i madh, një kompleks që synon kushte më funksionale të gjykatave, prokuroritë dhe shërbimet ndaj qytetarëve, por që nuk ndërtojmë vetëm godina për të vendosur institucione brenda tyre, i ndërtojmë ato që t’u shërbejnë më mirë qytetarëve. Dhe në këtë moment dua që ta ndaj parimin themelor të hartimit të buxhetit nga qeveria shqiptare.

Institucionet e drejtësisë i ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur, pavarësisht se qeveria përmes buxhetit merr faturën financiare të tyre dhe nuk ndërhyn në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë. Pra, detyra jonë, detyra e shtetit, është të krijojë kushte; detyra e institucioneve të drejtësisë është të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre sipas kushtetutës dhe ligjit. Qytetari nuk e mat drejtësinë vetëm me paratë që shpenzohen për të; e mat me kohën që ai pret dhe me mundësitë reale për të marrë shërbimin që i takon.

I nderuar kryetar,

Tek Ministria e Drejtësisë, ne shkojmë nga financimi tek përgjegjësia. Do të kemi 15.7 miliardë lekë Ministria e Drejtësisë me institucionet e varësisë. Ky është propozimi që ju keni përpara. Është një rritje prej 1.2% ndaj buxhetit aktual të vitit 2026. Financimi nga buxheti i shtetit rritet me 3.9%, për shkak se ka dhe financim nga partnerë të huaj. Investimet janë 1.23 miliardë lekë më pak se në vitin 2026. Pra, investimet rriten për shkak se rriten kostot operative në një sërë institucionesh, ku ne kemi kryer misionin e transformimit të infrastrukturës, kështu që nuk kemi më nevojë të investojmë atje, por kemi nevojë që të mundet të sigurojmë, që të ofrojmë shërbime përmes shpenzimeve operative.

Pjesa tjetër vjen nga investimet e vitit 2026, që përfundojnë. Pra, janë investime që janë nisur dhe financohen nga buxheti i ri, por që duhet të mbartin dhe në vit dhe nuk përsëriten. Prandaj, nuk besoj që është vendi për të gjykuar sa është buxheti. Ne na duhet të kuptojmë se si do të shpërndahet ai në prioritetet e shërbimeve të drejtësisë. Dhe drejtësia sociale nuk është një kapitull i shkëputur nga puna e ministrisë. Është mënyra se si ne e kuptojmë atë punë. Njerëzit nuk nisen të gjithë nga i njëjti start. Njëri e paguan avokatin, tjetri nuk e paguan. Njëri e ka shërbimin afër shtëpisë së vet, tjetri nuk e ka shërbimin afër shtëpisë. Njëri e njeh ligjin, tjetri nuk e njeh ligjin, nuk di si t’i qaset, nuk di si ta marrë informacionin, ndërkohë që ligji është i njëjtë për të gjithë, por rruga për të arritur te ligji nuk është njësoj e lehtë për të gjithë.

Dhe këtu fillon përgjegjësia jonë dhe ky buxhet merr 5 drejtime.

Kështu që është edhe kjo pjesë. Fillojmë me aksesin, ku qytetari nuk mbërrin dot tek shteti, dhe do të doja që kolegëve që janë të pranishëm thjesht të imagjinojnë një nënë në Bulqizë, fshatin e Bulqizës, që ka nevojë për mbrojtje ligjore, që nuk, ndoshta s’ka para për avokatin, ndoshta nuk di ku paraqitet, ndoshta dokumentet që i kërkohen mund të jenë një pengesë në vete, ndërkohë që e drejta e saj ekziston, por pyetja është çfarë vlere ka nëse ajo nuk arrin të ushtrojë të drejtën e saj.

Dhe këtë dhjetor parashikojmë hapjen e 5 zyrave të ndihmës juridike falas në Kamëz, Krujë, Librazhd, Bulqizë dhe Rrëshen. Synimi ynë është thjeshtimi i procedurave, duke përdorur informacionin që administrata publike tashmë disponon, në vend që të kërkojë përsëri dokumenta qytetarit. Kriteret ligjore të përfitimit janë ato që janë, nuk shtojmë të tjera, ndërkohë që kategoritë do të zgjerohen. Procedura nuk duhet të bëhet një pengesë e dytë për njeriun që kërkon mbrojtjen e së drejtës së tij. Kjo ka rëndësi të veçantë për njerëzit me të ardhura të pakta, për komunitetet e margjinalizuara dhe për ata që jetojnë larg qendrave të shërbimeve.

Nuk po u bëjmë asnjë favor, të nderuar kolegë, po punojmë për një të drejtë që u takon me ligj të bëhet realisht e ushtrueshme.

Pjesa e dytë është mbrojtja. Dhe tek mbrojtja, në vitin 2027, synojmë të vëmë në funksion Institutin për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, në Mëzez, kryetari e njeh shumë mirë si projekt, sepse ka punuar ngushtësisht me të, si edhe paraardhësit e tjerë.

Për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve, për këtë janë parashikuar rreth 536 milionë lekë për përfundimin e investimeve dhe pajisjen e qendrës, si dhe rreth 300 milionë lekë për personelin dhe funksionimin. Ju e dini shumë mirë që ligji ynë e trajton privimin nga liria e fëmijës si masë të fundit, dhe me të drejtë, sepse një fëmijë që ka hyrë në konflikt me ligjin nuk mund të përkufizohet për gjithë jetën nga ai gabim që ka bërë, sepse një dosje penale përshkruan një ngjarje, por nuk mund të përshkruajë të ardhmen e një fëmije.

Prandaj, Instituti në Mëzez duhet të jetë më shumë se sa një ndërtesë; duhet të jetë vendi ku edukimi, rehabilitimi, mbështetja psikosociale dhe puna me familjen krijojnë mundësinë reale për një rrugë tjetër. E pranoj që qendra ka pritur gjatë, por nuk dua ta quaj një sukses kur objekti ende nuk u shërben fëmijëve. Pra, objekti po përfundon, por duhet të bëjmë gati që suksesin ta shikojmë ditën kur qendra të funksionojë dhe programet e saj të japin rezultate të matshme.

Ky është angazhimi ynë për vitin 2027 dhe kjo ndodh brenda vitit 2027, në 6 muajt e parë.

Për sa i përket shtyllës së tretë të buxhetit, riintegrimi, siguria nuk mbaron te porta e burgut. Shërbimi i provës merr 66% më shumë fonde nga 255 në 424 milionë lekë. Kjo është një zgjedhje shumë e rëndësishme buxhetore, sepse siguria publike nuk matet vetëm me aftësinë e shtetit për të ekzekutuar një vendim; matet dhe me aftësinë për të ulur rrezikun që vepra penale të përsëritet. Rintegrimi nuk është falje e përgjegjësisë penale, është pjesë e mënyrës se si ekzekutohet përgjegjësia penale.

Shërbimi i provës do të forcojë menaxhimin individual të rasteve, mbështetjen psikologjike, formimin profesional dhe lidhjen me mundësinë e punësimit të strehimit.

Për mbikëqyrjen elektronike janë parashikuar 80 milionë lekë në vitin 2027, brenda një programi tre-vjeçar prej 320 milionë lekësh. Ky është një instrument që mbështet zbatimin e masave të vendosura nga gjykata sipas ligjit.

Por ka edhe një moment tjetër që nuk duhet ta harrojmë. Ditën kur njeriu del nga burgu, nëse atë ditë nuk ka dokument identiteti, nuk ka mundësi transporti, nuk ka ku të strehohet dhe nuk di ku të kërkojë ndihmë, atëherë kthimi në shoqëri fillon me pengesa të mëdha.

Për këtë po zhvillojmë paketën e daljes, me mbështetje për dokumentacionin, kujdesin shëndetësor dhe nevojat e para të reintegrimit, sepse porta e burgut nuk duhet të jetë porta për t’u kthyer përsëri në krim. Siguria e komunitetit fillon dhe me mënyrën se si përgatitet kthimi i njeriut në shoqëri.

Shtylla e katërt, realizimi, që është një detyrim që pret prej vitesh. Jam duke folur për kompensimin e ish-pronarëve. Për 2,366 familje, drejtësia nuk është diskutim teorik. Është kompensim që e presin prej vitesh në një proces që kanë nisur që në vitin 2008 dhe kanë përfshirë rreth 8,000 familje. Synimi është që gjatë vitit 2027 të përmbyllen pagesat e mbetura për këto familje, sipas kuadrit ligjor dhe financimit të miratuar. E di se pas secilës shifër që ne kompensojmë janë njerëz që kanë pritur gjatë, janë plane që janë shtyrë dhe është besim që tashmë është konsumuar, pasi i kam takuar shumicën e tyre edhe vetë. Prandaj, nuk dua ta paraqes shlyerjen e një detyrimi si dhuratë që i bën shteti atyre. Shteti nuk i bën nder qytetarit kur i jep atë që i takon. Përmbush një detyrim. Ky proces ka zgjatur shumë dhe nuk e quaj sukses. E quaj borxh që duhet shlyer.

Dhe shtylla e fundit e projektbuxhetit që kemi përpara është dinjiteti. Një i sëmurë që është i detyruar të qëndrojë në spital për mjekim është pacient. Deri më sot është konsideruar, dhe tani që flasim, si i dënuar. Kështu që në Lezhë, në Shën Koll, ne parashikojmë që me një financim shumëvjeçar prej rreth 1.14 miliardë lekësh, nga të cilat 250 milionë në vitin 2027, ky investim të lidhet me një nga çështjet më të rëndësishme që ju kryetar e njihni shumë mirë dhe të gjithë kolegët që kanë pasur mundësinë ta ndjekin për të drejtat e njeriut në Shqipëri, me kërkesën që na bëjnë vazhdimisht institucionet evropiane dhe me mishërimin e një standardi evropian në shërbimin tonë penitenciar, kushtet dhe mënyrën e trajtimit të personave që kanë nevojë për kujdes të specializuar shëndetësor.

Për ta thënë thjesht, një njeri që gjykata e ka dërguar për mjekim të detyruar nuk duhet të trajtohet si i dënuar për shkak të nevojës së tij për këtë trajtim shëndetësor. Ai është pacient dhe trajtimi i tij duhet të udhëhiqet nga standardet e kujdesit shëndetësor dhe të dinjitetit njerëzor. Bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë po punojmë për të forcuar këtë qasje.

Ndërkohë, vijojnë investimet në sistemin penitenciar. Burgu i ri në Kukës është me rreth 170 milionë lekë në vitin 2027 dhe punimet në Fushë-Krujë me 60 milionë lekë. Qëllimi është përmirësimi i kushteve dhe i kapaciteteve të trajtimit.

Në mbyllje, të nderuar kolegë, unë besoj që ky është një buxhet që jep llogari. Ka shumë faqe, tabela, zëra financiarë, por në fund të vitit 2027 qytetarët kanë të drejtë të na bëjnë pyetje shumë të thjeshta. E mora ndihmën juridike kur më duhej? U hap qendra për fëmijë kur unë kisha nevojë për të? Funksionoi mbështetja për riintegrimin kur unë pata nevojë për të? A u shlye detyrimi që më takonte prej vitesh? A u përmirësuan kushtet e trajtimit tim në sistemin penitenciar? Dhe përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve do të tregojë më shumë për punën tonë se çdo fjalim timin apo të kujtdo tjetër. Buxheti nuk është vetëm një dokument që miratohet në Kuvend. Është përgjegjësia që ne duhet të mbajmë të gjithë jashtë kësaj salle. Dhe unë ju kërkoj që jo vetëm ta besoni, por ta shqyrtoni zë më zë, t’i kontrolloni fondet, afatet dhe të na kërkoni dhe rezultatet. Prandaj kërkoj kontroll për këtë buxhet. Jo, duartrokitje se jam i sigurt që nuk i meritojmë ato.

Shumë faleminderit!