Ministry of Justice
Të nderuar pjesëmarrës,
Është kënaqësi të jem sot këtu për prezantimin e Projekt-Kodit të Procedurës Penale, një proces të cilin Këshilli i Evropës e ka mbështetur gjatë muajve të fundit me ekspertizë të posaçme.
Synimi ynë ka qenë që dispozitat e reja të jenë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe që reforma të ruajë një ekuilibër të drejtë ndërmjet efektivitetit të procedimit penal dhe mbrojtjes së të drejtave themelore.
Projekt-Kodi i Procedurës Penale që po prezantojmë përbën një paketë reformash të balancuar dhe të bazuar te të drejtat. Ky projekt është plotësisht në përputhje me standardet përkatëse ndërkombëtare dhe evropiane.
Ndryshimet e propozuara rrisin transparencën dhe efektivitetin, ndërkohë që forcojnë të drejtat e të dyshuarit, të akuzuarit dhe të mbrojtjes.
Këto përmirësime dëshmojnë angazhimin për ta përafruar më tej sistemin e drejtësisë penale me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, direktivat e Bashkimit Evropian për të drejtat procedurale dhe standardet ndërkombëtare.
Një element thelbësor është mënyra se si e kuptojmë efektivitetin e luftës kundër krimit. Efektiviteti i çdo lufte kundër krimit nuk matet me numrin e personave që ndodhen në paraburgim, por me numrin e dënimeve dhe konfiskimeve që realizohen realisht.
Kodi i Procedurës Penale rregullon disa prej kompetencave më ndërhyrëse të shtetit: kontrollin, mbledhjen e provave, marrjen në pyetje, kufizimin e lirisë dhe, në fund, procedurën që mund të çojë në një dënim penal.
Pikërisht për këtë arsye, këto kompetenca duhet të ushtrohen mbi bazën e rregullave të qarta dhe të garancive të forta.
Në të njëjtën kohë, sistemi duhet të garantojë zbulimin e së vërtetës, mbrojtjen e viktimave, vënien e autorëve përpara përgjegjësisë dhe ruajtjen e besimit të publikut te drejtësia.
Pikënisja e punës sonë ka qenë Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Një Kod i fortë i Procedurës Penale duhet të shkojë përtej parandalimit të shkeljeve. Ai duhet të krijojë një kulturë drejtësie të ligjshme, të drejtë dhe humane.
Këshilli i Evropës do të vijojë të mbështesë këtë proces edhe gjatë fazave të mëtejshme të konsultimit dhe finalizimit të reformës.
Faleminderit!