Ministry of Justice

Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Antwerp, i cili trajton çështje të nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, vlerëson se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë në përputhje me standardet europiane.

Sipas tij, ndryshimet mbështeten në parimin që mjetet hetimore duhet të jenë proporcionale, t’i nënshtrohen mbikëqyrjes gjyqësore dhe të shoqërohen me mjete juridike të disponueshme.
Byl thekson se kjo qasje është plotësisht në përputhje me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Një element që ai e veçon si pozitiv lidhet drejtpërdrejt me hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.

“Shumë ndryshime dhe shumë ide që do ta bënin më të vështirë hetimin në çështjet e korrupsionit dhe në çështjet e krimit të organizuar të nivelit të lartë u lanë mënjanë”, thekson Byl, duke shtuar se ruajtja e hetimeve efikase mbetet një nga përparësitë e legjislacionit.

Ai nënvizon gjithashtu se parimi udhëheqës i ndryshimeve është në përputhje me nenin 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit niveli i kontrollit gjyqësor duhet të ndjekë nivelin e ndërhyrjes në jetën private.

Në përfundim, Byl e cilëson ligjin “një instrument shumë të mirë” dhe vlerëson se ai e sjell legjislacionin shqiptar në përputhje me standardet europiane.